Një person dënohet me tre vjet burgim për madhërimin e Karaxhiqit dhe Mlladiqit

17:35 | 26 Janar 2026
E.G

Një gjykatë e shkallës së parë në Bosnje dhe Hercegovinës e ka dënuar me tre vjet burgim Miograd Malliqin për madhërimin e figurave të Radovan Karaxhiqit dhe Ratko Mlladiqit, të dënuar për krime lufte.

Malliq më 26 janar u shpall fajtor, sepse “ka kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit kombëtar, racor dhe fetar”, sipas Kodit Penal të Bosnje dhe Hercegovinës, thuhet në njoftimin e Gjykatës shtetërore të shkallës së parë.

Në njoftim thuhet se ai ka “madhëruar persona që janë dënuar me vendime të formës së prerë për gjenocid, krime kundër njerëzimit apo krime lufte” të kryera në territorin e ish-Jugosllavisë gjatë viteve ’90.

Siç raporton agjencia Srna, Malliq gjatë një proteste të organizuar nga partitë opozitare në Banja Llukë në nëntor të vitit 2022, kishte shfaqur fotografi të Radovan Karaxhiqit, presidentit të parë të Republikës Sërpska – entitet serb në Bosnje dhe Hercegovinë – si dhe të Ratko Mlladiqit, ish-komandant të ushtrisë në Republikën Sërpska.

Të dy janë dënuar me burgim të përjetshëm për krime lufte nga Tribunali i Hagës.

Gjykata në Bosnje ka marrë parasysh edhe deklaratën e Harnes Sefiqit, i cili ka thënë se është shqetësuar kur ka parë fotografitë e Karaxhiqit dhe Mlladiqit.

Malliq dhe avokati i tij mbrojtës, Millan Petkoviq, nuk janë paraqitur në seancën kur u shpall aktgjykimi.

Kundër aktgjykimit mund të dërgohet ankesë në Gjykatën e Apelit në Bosnje./rel