Nis pastrimi i Shkupit, paralajmërohen gjoba për ndotësit

15:51 | 26 Korrik 2019

Me të nisur aksioni për pastrimin gjeneral të qytetit të Shkupit dhe 10 komunat e saj, është shqiptuar edhe padia e parë penale për ndotësit e ambientit.

Inspektorati i qytetit në bashkëpunim me MPB-në ka ngritur padi penale ndaj një personi fizik në komunën e Butelit i cili në mënyrë të paautorizuar ka uzurpuar një hapësirë të caktuar ndërsa për hedhjen e mbeturinave i ka obliguar qytetarët të paguajnë.

“Këtë aksion do ta përcjellë një mbikëqyrje e fortë inspektoriale, nga qyteti i Shkupit dhe komunat. Bëhet fjalë për një person të kapur në vend ngjarje, në komunën Butel. Inspektorati I qytetit në bashkëpunim me MPB kanë kryer hetimin, janë marrë të gjitha dëshmitë, për momentin po punohet padia penale. Nuk mundemi më dhe nuk do të bëjmë kompromis me askënd kur në pyetje është pastërtia e qytetit. Për pastërtinë në qytet do të kujdesemi të gjithë bashkë”– deklaroi Petre Shilegov, kryetar i Shkupit.

Aksioni do të përfshijë, pastrimin dhe larjen e rrugëve dytësore, krasitje të druve dhe rregullim të sipërfaqeve të gjelbra. Nga “Higjiena Komunale” njoftojnë se do të vendosin kontejnerë të posaçëm për hedhje të mbeturinave të vëllimshme që përfshinë, mobilje dhe paisje elektrike.

“Vitin e kaluar kemi mbi 1500 proces verbale mirëpo tani më veç do të fillojnë sanksionet..Apeloj qytetarët që të jenë më të kujdesshëm në formimin e deponive të egra sidomos në ato lokacione ku njëherë, dy ose tre hërë I kemi pastruar gjatë kësaj periudhe- tha Abdulsamed Shabani, drejtor I N.P “Higjiena Komunale”.

Sipas të dhënave nga Qyteti i Shkupit, deri në muajin maj janë shqiptuar 649 gjoba për shkelje të Ligjit për pastërti publike. Mes tjerash, Ligji në fjalë ndalon hedhje dhe lënie të mbeturinave në sipërfaqe publike, djegie të mbeturinave dhe shkatërrim të mbeturinave urbane. Gjobat për shkeljet e lartpërmendura kapin shumën 50 euro./alsat

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara