Maqedonia e Veriut voton të dielën

21:10 | 17 Tetor 2025
Q L

Për zgjedhjet lokale do të votohet të dielën edhe në Maqedoninë e Veriut. Atje sonte në mesnatë përfundon fushata elektorale, ndërsa në garë janë 22 parti politike, 19 koalicione dhe 119 kandidatë të pavarur.

Sonte në mesnatë në Maqedoninë e Veriut përfundon fushata për zgjedhjet lokale, të cilat do të zhvillohen të dielën, më 19 tetor.

Në tubimin që mbajti koalicioni VLEN në Çair të Shkupit, kandidati për kryetar i kësaj komune, Izet Mexhiti, tha se garon për ta bërë Çairin një vend të ëndërruar për të gjithë.

“U ktheva të garoj në Çair që ëndrrën e atyre që deshën ta bëjnë Çairin geto dhe të pa zhvilluar, ta kthej në një Çair të ëndërruar nga të gjithë ne. Gjatë këtyre 15 muajve qeverisje qendrore, Qeveria VLEN ka orientuar në Çair dhjetëra projekte dhe rreth 100 milion euro investime”, tha Mexhiti.

Koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim tubimin e saj përmbyllës me elektoratin e mbajti në qytetin e Tetovës.

Kandidati për kryetar të Komunës Tetovës, nga ky koalicion, Bajram Rexhepi, tha se nëse zgjidhet në krye të Komunës, do të angazhohet për ta bërë qytetin kryeqendër ekonomike.

“Të dashur miq unë jam në këtë garë zgjedhore sepse kam besim të plotë te qytetaria tetovare , tek intelektualizmi dhe tek vlerat tona evropiane. Të dashur tetovar kërkoj nga ju mbështetje që tja kthejmë Tetovës lavdinë”, tha Rexhepi.

Në zgjedhjet e së dielës do të marrin pjesë 22 parti politike, 19 koalicione dhe 119 kandidatë të pavarur.

Në këto zgjedhje, që janë të tetat me radhë, që nga pavarësimi i vendit, do të zhvillohen në 80 komuna dhe në qytetin e Shkupit, si njësi e veçantë e administrimit./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme