Maqedonia e Veriut: Përdorimi dhe shitja e mjeteve piroteknike është e ndëshkueshme

21:56 | 14 Dhjetor 2020

Ministria e Punëve të Brendshme kumton se edhe këtë vit po zhvillojnë fushatë parandaluese, me qëllim që qytetarët të informohen për pasojat e mundshme nga përdorimi i kapsollave dhe mjeteve të tjera piroteknike, posaçërisht aktuale para dhe gjatë festës së Vitit të Ri.

Nga MPB thonë se ndërmarrin edhe masa ndëshkuese, me qëllim të sanksionimit të përdorimit të kapsollave dhe mjeteve të tjera piroteknike dhe i përkujton qytetarët për dispozitat ligjore në të cilat sanksionohet përdorimi i mjeteve piroteknike dhe shitja e tyre ilegale.

“Kështu, Ligji për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike në nenin 31 parasheh gjobë në shumë prej 200 deri 500 euro në kundërvlerë të denarit për atë i cili gjuan në mënyrë të paautorizuar nga armë zjarri, përdorë mjete piroteknike apo mjet tjetër shpërthyes apo materiale lehtë djegëse, apo në mënyrë të ngjashme e prishë qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve”, informon MPB.

Nga Ministria theksuan se në pajtim me Kodin penal, në nenin 396 është paraparë përpunimi i paligjshëm, mbajtja dhe tregtimi me armë apo materie shpërthyese, me ç’rast, ai i cili përpunon, mban, shet, furnizon apo kryen këmbim me armë zjarri në mënyrë të paautorizuar, me municion apo materie shpërthyese, do të dënohet me burg prej tre deri dhjetë vite, ndërkaq nëse si lëndë e veprës nga paragrafi 1 është sasi më e madhe e armëve të zjarrit, municion apo materie shpërthyese të cilat janë të ndaluara për qytetarët, kryesi do të dënohet me së paku pesë vite burg.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara