Leyen: Të hapen negociatat me Shkupin dhe Tiranën

16:35 | 14 Janar 2020

Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von Del Leyen bëri thirrje që Ballkanit Perëndimor t’i jepet një perspektivë europiane.

Gjatë fjalimit të saj në Parlamentin Europian ku u paraqit programi i presidencës kroate, presidentja Von Del Leyen, theksoi se negociatat duhet të hapen pasi si Maqedonia e Veriut, ashtu dhe Shqipëria i përmbushën detyrat e përcaktuara.

“Brenda disa javësh Komisioni do të paraqesë metodologjinë e re të zgjerimit në mënyrë që ne të diskutojmë modernizimin i cili është shumë i nevojshëm, por më e rëndësishmja është t’iu japim miqve tanë në Ballkanin Perëndimor një perspektivë europiane, duke filluar bisedimet e pranimit. Ata i kryen detyrat e tyre, tani është radha jonë”, tha Ursula Von Del Leyen, Presidente e Komisionit Europian.

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç nuk e fshehu dëshirën që gjatë mandatit gjashtëmujor të Kroacisë t’i bindë vendet skeptike për fillimin e bisedimeve të pranimit.

“Është e rëndësishme që ne të respektojmë kriteret politike dhe duke parë përparimin individual të secilit vend kandidat me synimin që anëtarësimi në BE të jetë qëllimi përfundimtar i negociatave”,  deklaroi Andrej Plenkoviç, Kryeministër i Kroacisë.

Thirrja e të dy zyrtarëve vjen një ditë para vizitës në Shkup dhe Tiranë të komisionarit për Zgjerimin Oliver Varhelyi. Ai ka nisur që javën e kaluar edhe bisedimet me Francën dhe Holandën për metodologjinë e re të pranimit të vendeve kandidate./alsat

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara