Google ADS

Kovaçevski: Me boshnjakët si një popull i barabartë, bashkërisht e zhvillojmë vendin

07:32 | 28 Shtator 2022
Vjollca Gajraku

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në shënimin e 28 shtatorit – Ditës së boshnjakëve, ka deklaruar se përmes angazhimit të boshnjakëve të vendit ndaj politikave largpamëse, ky komunitet luan një “rol të rëndësishëm në arritjet historike” të Maqedonisë së Veriut.

Në prani të përfaqësuesve të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, deputëtëve të Kuvendit, përfaqësuesve të pushtetit ekzekutiv, si dhe mysafirëve nga vendi dhe rajoni, me një akademi solemne në Shkup është shënuar 28 shtatori – Dita e boshnjakëve.

I pranishëm ishte edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili para të pranishmëve tha se “boshnjakët sot janë të integruar në të gjitha institucionet dhe proceset shoqërore, si në kulturë, sport, art dhe në zhvillimin e klimës së biznesit”.

“Përmes angazhimit tuaj ndaj politikave largpamëse, ju gjithashtu luani një rol të rëndësishëm në arritjet historike, anëtarësimin në NATO dhe fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian (BE)”, tha Kovaçevski.

“Qytetarët boshnjak, si popull i barabartë në Maqedoninë e Veriut, janë thurur në shtetin tonë të përbashkët multi-etnik dhe multi-kulturor, si dhe janë pjesë e të gjitha proceseve progresive përmes të cilave ne hapim rrugën e të përbashkëtave tona sot drejt të përbashkëtave tona më të mira nesër”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, zv/kryeministrja e Kosovës për komunitetet dhe të drejtat e njeriut, Emilija Rexhepi, në fjalën e saj në emër të qeverisë së Kosovës, uroi Ditën e boshnjakëve në Maqedoninë e Veriut dhe falënderoi për mundësinë për të marrë pjesë në tubimin në Shkup.

“Ne jemi të vetmit në Ballkan që gjithmonë duhet të justifikohemi dhe t’u tregojmë të gjithëve se kush jemi, çfarë jemi, nga jemi, pse jemi, si jemi… Ka ardhur koha për një politikë moderne, të një shoqërie ndryshe, të një opsioni qytetar, ku nuk duam më të justifikohemi dhe të bindim dikë se kush jemi, nga jemi dhe si jemi. Përkundrazi, me punën, energjinë tonë, me moralin tonë, me karakterin tonë, ne tregojmë se vlejmë shumë më tepër se çfarë mendon dikush për ne”, tha zv/kryeministrja Rexhepi.

Të pranishmit në emër të organizatorit i përshëndeti kryetari i Këshillit Kombëtar Boshnjak (BNS) në Maqedoninë e Veriut, Xhevat Hot, i cili në fjalën e tij iu referua vazhdimësisë historike të boshnjakëve.

Ai theksoi se BNS-ja që drejton ai punon për të ndërgjegjësuar popullin boshnjak në Maqedoninë e Veriut për identitetin, kulturën dhe trashëgiminë e tyre. Ai po ashtu shtoi se një nga projektet e shumta që do të donin të bëjnë është ndërtimi i një qendre kulturore boshnjake.

Kreu i Lidhjes Demokratike Boshnjake (BDS), Munir Kolashinac, nga ana e tij, tha se sot boshnjakët po festojnë një festë të rëndësishme për historinë e tyre si popull.

Fjalimet u pasuan me program kulturo-artistik, ku performuan shoqata kulturo-artistike ‘Roxhaja’ e Malit të Zi, shoqata kulturo-artistike ‘Ljuljan’ e Shkupit, si dhe solistja Mubera Shkrijelj nga Novi Pazari.

Me ndryshimet në Ligjin për festat e Maqedonisë së Veriut, më 8 shkurt të vitit 2007, në Shtëpinë ligjvënëse 28 shtatori u shpall Dita e boshnjakëve në vend./AA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme