Google ADS

Komuna e Gostivarit dhe afaristë të qytetit, vizitë tre ditore në Korçë

14:55 | 18 Maj 2015
Arbresh.info

Një delegacion nga komuna e Gostivarit, i udhëhequr nga shefi i kabinetit të kryetarit Bashkim Hasani, udhëheqësi i Sektorit të urbanizmit Jeton Salija, koordinatori i Sektorit të arsimit Edit Azizi, zëvendës udhëheqësja e Sektorit të financave Fitore Aligega, përgjegjësi i Departamentit për zhvillimit ekonomik lokal Pajtim Saiti, koordinatorja e projektit për Bashkëpunim ndërkufitar midis Komunës së Gostivarit dhe Bashkisë së Korçës Sebajete Zenku, menaxheri i projektit Gramoz Shabani të shoqëruar edhe nga afaristë të suksesshëm gostivaras, realizuan një vizitë treditore në Bashkinë e Korçës.

Nën shoqërim edhe të përfaqësuesve të Bashkisë së Korçës, mysafirët nga Gostivari realizuan vizita të shumta duke filluar nga takimi në Bashki, pastaj vizita në muzetë dhe monumentet historike, pikat turistike të Korçës, vizitat në Voskopojë dhe në fshatin Dardhë.

“Është vizita e dytë e ekipit nga komuna e Gostivarit, që e vizitojnë Bashkinë dhe qytetin e Korçës. Përshtypjet nga vizita e parë ishin të shkëlqyeshme. Falënderoj edhe stafin e Bashkisë së Korçës për mikpritjen që na bën dhe uroj që ky projekt të përfundojë me sukses dhe pse jo të mos aplikohet për realizim edhe të projekteve të tjera të radhës”, theksoi Bashkim Hasani – shef i kabinetit të kryetarit të komunës së Gostivarit.

“Në kuadër të vizitës që bën një delegacion nga komuna e Gostivarit, ne duam që të falënderojmë për ardhjen në qytetin e Korçës. E vlerësojmë atë dhe e shohim si një bashkëpunim të mëtejshëm, jo vetëm të projektit që ne jemi duke e zbatuar aktualisht dhe jo vetëm të projekteve në fushën e turizmit, por meqenëse të dyja bashkitë i kryejnë pak a shumë të njëjtat funksione, shohim një bashkëpunim edhe në fusha të tjera. Deri tani kemi një marrëdhënie shumë të mirë dhe pse të mos e konkretizojmë edhe në projekte të tjera”, tha Anxhela Dishnica – shefe e kabinetit të kryebashkiakut të Korçës.

“Në suaza të aktiviteteve të projektit zhvillimi i produkteve turistike të integruara të komunës së Gostivarit dhe bashkisë së Korçës që është në përfundimin e vitit të parë të realizimit, është paraparë edhe këmbimi i përvojës te grupet e kyçura në këtë projekt. Mu për atë qëllim, grupi i Gostivarit është në vizitën e dytë të këmbimit të përvojave në mes të palëve të involvuara në zhvillimin e turizmit. Nga kjo vizitë ekipi i cili është në këtë grup arrin të merr me vete një përvojë ndryshe të realizimit të turizmit nga Bashkia e Korçës. Ky aktivitet nuk përfundon këtu, aktivitet në periudhën që vjen mbetet edhe një vizitë e këmbimit të përvojave nga ana e Gostivarit në Bashkinë e Korçës. Ajo që është me rëndësi të ceket është se bashkëpunimi është në nivel të duhur midis komunës së Gostivarit dhe Bashkisë së Korçës dhe shpresojmë se edhe me përfundimin e këtij projekti bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, theksoi Sebajete Zenku – menaxhere e projektit nga ana e Komunës së Gostivarit.

“Projekti që Bashkia e Korçës e ka në partneritet me komunën e Gostivarit, është një ndër projektet më të suksesshme që kjo bashki ka. Aktualisht ne kemi implementuar me sukses disa prej aktiviteteve. Midis tyre është publikimi i hartave dhe materialeve marketuese të qytetit në kuadër të këtij qyteti, shkëmbimin e disa vizitave gjithashtu edhe organizimi i disa konferencave me Tur-Operatorët me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të të dyja rajoneve. Në kuadër të vizitave që i kemi realizuar në Gostivar dhe në qytetin e Korçës, kemi ardhur këtu në fshatin e Dardhës për të treguar një shkrirje të gjitha projekteve që Bashkia e Korçës ka të dhëna nga komuniteti Evropian me qëllim zhvillimin e turizmit, në fshatin e Dardhës që është një nga fshatrat turistik dhe që shumë shpejtë do ti bashkohet Bashkisë së madhe të qytetit të Korçës, janë hapur shtigje turistike me qëllim zhvillim jo vetëm të turizmit natyror, por edhe turizmit malor. Kjo është një bashkëpunim shumë i mirë sepse edhe në projektin e Gostivarit, komuna e Gostivarit është duke krijuar shtigjet turistike”, thotë Aida Kristo – menaxhere e projektit nga ana e Bashkisë së Korçës.

Komuna e Gostivarit dhe Bashkia e Korçës në kuadër të Programit IPA bashkëpunim ndërkufitar, janë në fazë të realizimit të projektit të titulluar “Zhvillimi i produktit turistik të integruar për rritje të qëndrueshme ekonomike të rajonit të Gostivarit dhe Korçës”, projekt ky që do të zgjasë njëzet muaj, i financuar nga mjete të Bashkimit Evropian.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme

Foto lajm