Klinika e Gjinekologjisë-Shkup: Ndërrojnë jetë pesë foshnje, rritet numri i lindjeve të parakohshme

19:03 | 15 Prill 2020

Klinika e Gjinekologjisë dhe Akusherisë informon se pesë foshnje të lindur parakohe kanë ndërruar jetë midis 9 dhe 13 prill. Nga KGJA gjithashtu informojnë se një numër i rritur i lindjeve të parakohshme është regjistruar javët e fundit.

“Shtatzënia në rrethana normale shoqërohet me lëkundje në emocione, shpesh shoqërohet me rritje të ndjeshmërisë dhe ankthit, ndërsa është pritur që Covid-19 të shkaktojë ankth të theksuar në gratë shtatzëna. Prandaj, është e mundur që gjendja psikologjike e grave shtatzëna të ketë ndikim në pjesën më të madhe të lindjeve të parakohshme, në krahasim me lindjet normale”, thonë nga KGJA, përcjell Telegrafi Maqedoni..

Bëhet fjalë për foshnje të lindura parakohe me peshë jashtëzakonisht të ulët të lindjes dhe papjekuri ekstreme. Më 6 prill ndërruan jetë të tre foshnjat e një nëne që mbante trinjak dhe kishte një shtatzëni me rrezik të lartë.

“Sidoqoftë, për shkak të papjekurisë ekstreme, peshës shumë të vogël trupore, javës shumë të vogël të gestacionit, foshnjat ishin në gjendje kritike dhe të paqëndrueshme gjatë gjithë kohës, për shkak të së cilës, përkundër terapisë, ata ndërruan jetë në ditë të ndryshme (9, 11 dhe 13 prill). Nëna u testua për Covid-19 dhe ishte negative për coronavirus”, shtojnë nga Klinika.

Dy rastet e tjera janë, nga 4 prilli në një grua që lindi në Shkup në javën e 31 të shtatzënisë dhe në një grua tjetër që lindi në Strumicë më 9 prill.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara