BERZH: 100 milionë euro kredi për Elektranat e Maqedonisë së Veriut

13:17 | 13 Maj 2022

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka njoftuar zyrtarisht se ka nisur administrimi i kredisë 100 milionë euro për SHA Elektranat e Maqedonisë së Veriut për tejkalimin e krizës energjetike dhe kredia do të miratohet më 20 korrik.

Huaja do të jetë për të mbështetur likuiditetin e kompanive në përballjen me krizën energjetike që ka prekur Maqedoninë.

Sigurimi i fondeve të likuiditetit do të përdoret si kapital qarkullues për të financuar pagat, shërbimin e borxhit dhe kosto të tjera administrative të klientit dhe nuk shoqërohet me ndonjë rrezik apo ndikim të ri mjedisor apo social.

“EMV është një klient ekzistues i Bankës me rezultate të mira dhe ka dëshmuar aftësinë e saj për të përmbushur kërkesat e Bankës gjatë projekteve aktuale”, thuhet në njoftimin e huadhënësit ndërkombëtar.

Paratë do të përdoren për financimin e çështjeve strukturore në tregun vendas të energjisë. Kredia thuhet se do të ndihmojë vendin të përmbushë objektivat e tij të qëndrueshmërisë dhe sigurisë së energjisë.

Ndihma financiare duhet të rrisë qëndrueshmërinë e sektorit të energjisë ndaj goditjeve sistemike si Covid-19 dhe kriza aktuale e tregut të energjisë elektrike./Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara