BDI: Mickoski po nxit tensione etnike

17:15 | 23 Gusht 2025
E.K

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të sotme të Kryeministrit Hristijan Mickoski, duke i cilësuar ato si “shpifje të pastra”, “tentativë e dështuar për të fshehur krizën e legjitimitetit të qeverisë” dhe “deklarata të rrezikshme që nxisin përplasje etnike”.

Në reagimin e publikuar, BDI thekson se ka qenë gjithmonë garanci për zgjedhje të lira dhe demokratike dhe mohon çdo përfshirje në “plane të fshehta” apo “kaos”, siç ka pretenduar kryeministri.

Partia shqiptare akuzon Mickoskin për shpikje të armiqve imagjinarë dhe përpjekje për të shmangur përgjegjësinë për, siç thuhet në deklaratë, shkeljen e Kushtetutës, diskriminimin e shqiptarëve, uljen e paligjshme të numrit të këshilltarëve dhe instrumentalizimin e institucioneve shtetërore si KSHZ dhe Gjykata Kushtetuese në funksion të agjendave partiake dhe monoetnike.

BDI paralajmëron se nuk do të qëndrojë indiferente ndaj, siç thuhet, shkeljes së Marrëveshjes Paqësore të Ohrit, të cilën e konsideron thelbësore për stabilitetin dhe të ardhmen e vendit.

Po ashtu, në deklaratë ngrihen akuza ndaj VMRO-DPMNE dhe LSDM për bashkëpunim të dëmshëm në dëm të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera, duke u ndalur te votimi i përbashkët për çështje që prekin përfaqësimin e diasporës në nivel komunal.

“Zgjedhjet e tetorit do të jenë një referendum për qytetarët, një test i vullnetit të tyre për të ndëshkuar politikën e frikës, përçarjes dhe manipulimit. Demokracia nuk frikësohet nga deklarata të pavërteta – as shqiptarët, as maqedonasit nuk meritojnë të udhëhiqen nga shpifje dhe skenarë të rremë”, përfundon reagimi i BDI-së, duke theksuar se pozicioni i saj në skenën politike do të vendoset vetëm nga populli.

Mickoski paralajmëroi se pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale në tetor do të ketë riorganizim të Qeverisë. Sipas tij, arsyet nuk lidhen me qeverisje të keqe, por me forcimin e kapaciteteve.

“Menjëherë pas zgjedhjeve do t’i hapim dyert e partisë për ndryshime të reja dhe për njerëz të rinj, dhe në Qeveri do të ketë rekonstruksion dhe përforcim të kapaciteteve. Ne tashmë e dimë mirë si mund të ecim edhe më fuqishëm dhe më guximshëm me potenciale të shtuara. Kjo nuk do të thotë se njerëzit që do të zëvendësohen kanë qenë të këqij apo të pakujdesshëm, por qeverisë gjithmonë i nevojitet kapacitet i rritur, një ritëm më i fuqishëm për ndryshimet që po bëjmë. Ne jemi në rrugën e ndryshimeve, në rrugën e ndërtimit të suksesit të përbashkët, i cili do të sjellë një të ardhme më të mirë dhe një shans që breza të tërë të rinj e kanë pritur”, deklaroi Mickoski.

Mesazhin për rekonstruksion të Qeverisë, Mickoski e dha gjatë një fjalimi në të ashtuquajturin panair të kryetarëve të komunave të VMRO-DPMNE, me titullin “Katër vite punë për ty”.

Ai akuzoi se LSDM dhe BDI po përgatisin një plan të fshehtë për të rrëzuar procesin zgjedhor.

Mickoski tha se zgjedhjet nuk do të jenë dera për hyrjen e BDI-së në Qeveri dhe se ka ardhur koha të zbulohet “e vërteta për lojërat e pista që po përgatiten prapa skenës”. Sipas tij, LSDM dhe BDI kanë menduar dhe koordinuar një skenar për kaos, mjegull politike dhe manipulime.

“Me inflacion të kandidaturave të pavarura dhe lista fantome duan qëllimisht ta rrëzojnë procesin zgjedhor. Ta ngatërrojnë votuesin, ta manipulojnë demokracinë dhe ta turbullojnë pamjen e qartë të disfatës së tyre historike që po vjen. Por prapa kësaj loje nuk qëndrojnë vetëm shtabet partiake. Në këtë synim shteti i thellë i LSD-së dhe BDI-së dhe njerëzit e tyre të shpërndarë në gjyqësor, komisionin zgjedhor dhe institucionet janë bashkuar. Sot ata janë në koalicion për të parandaluar disfatën që do t’ua sjellë VMRO-DPMNE dhe koalicioni në zgjedhjet lokale”, tha Mickoski.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme