ASH: Koalicioni gjyqësor BDI-VMRO mban peng sistemin e drejtësisë

19:38 | 17 Dhjetor 2019

Aleanca për shqiptarët kërkon veting urgjent për çlirimin e pushtetit gjyqësor nga ndikimi i pushtetit ligjvënës dhe ai ekzekutiv, si dhe lirimit të tij nga uzurpimet partiake që po dëmtojnë një sistem të tërë të drejtësisë.

Zëdhënësi i ASH-së Flakron Bexheti akuzoi BDI-në se manipulon me kërkesë false për veting. Ai tha se për vetting të mirëfilltë do të kërkojnë ndihmën e BE-së me qëllim që sistemi i drejtësisë të çlirohet nga gjykatësit dhe prokurorët e politizuar e të korruptuar, që janë në shërbim të klientelizmit partiak politik, dhe jo në interes të sistemit të drejtësisë.

ASH vlerëson se sistemi i drejtësisë në vend po mbahet peng nga koalicioni BDI-VMRO.

“Bashkëpunimi i ngushtë dhe i fortë mes BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së nuk ka ndaluar asnjëherë, ashtu si dikur që BDI dhe kryeparlamentari Talat Xhafari, nuk pranoi që ti merret imunitetit të dyshuarit për rastin e 27 Prillit, Trajko Veljanovskit, njëjtë edhe sot ky koalicion po bëhet edhe më i dukshëm edhe në hallkën më të ndryshkur të shoqërisë tonë, siç është gjyqësori. Shembull konkret i këtij koalicioni gjyqësor mes VMRO-së dhe BDI-së, është rasti i fundit me zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit gjyqësor. Ne si parti me çdo forcë që kemi do të bëjmë kërkesë që vetingu të realizohet në formën e tij më të pastër me asistencë të shteteve të BE-së”- deklaroi Flakron Bexheti, zëdhënës i Aleancës për Shqiptarët./alsat

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara