Darka e 31 dhjetorit është festë në gjithë botën. Të gjithë festojnë ardhjen e një viti të ri, i cili pritet me fishekzjarre, festë dhe puthje në mesnatë, që është traditë në shumë vende të botës. Por çfarë e dallon Shqipërinë nga vendet e tjera? Shqiptarët kanë disa tradita, që i dallojnë nga të tjerët.
Pastrimi i shtëpisë me themel
Pak ditë para Vitit të Ri shqiptarët u futen punëve me rrënjë duke pastruar gjithçka, duke filluar nga perdet, tapeti e deri te kolltukët. Edhe nëse diçka është e pastër, do pastrohet sërish! Këto njihen si “punët e Vitit të Ri” dhe bëhen që viti që vjen ta gjejë shtëpinë të pastër dhe të rregullt.
Tryeza mbushet plot me ushqime dhe s’duhet të mungojë gjeli i detit
Në familjet shqiptare, atë natë është shumë e rëndësishme që tavolina të jetë plot. Nuk duhet të mungojnë llojet e ndryshme të ushqimeve, ëmbëlsirave, pijeve dhe shumë, po shumë mish. Viti i Ri duhet ta gjejë tavolinën të mbushur plot. Ah, kurrsesi mos harroni gjelin e detit, përsheshin dhe sallatën ruse. Pa to, Viti i Ri nuk ka kuptim.
Dollitë e vazhdueshme
Nata e Vitit të Ri është nata e dollive. Fjala “gëzuar” dëgjohet më shpesh se çdo fjalë tjetër.
Byreku me lek
Një tjetër traditë shqiptare është gatimi i byrekut me një lek brenda. Kujt i bie leku është personi që do ketë më shumë fat në vitin që vjen.
Ëmbësira karakteristike, bakllavaja
Ëmbëlsira tipike e Vitit të Ri është pa dyshim bakllavaja dhe nuk ka as kadaif e asnjë lloj ëmbëlsire tjetër që mund t’ia marrë vendin. Bakllavaja përgatitet shumë ditë para dhe qërasen të gjithë mysafirët që vijnë në shtëpi.
Mesazhet e urimit
Në datën 31 gjatë gjithë ditës, por më shumë në darkë, nuk mungojnë kurrë mesazhet e urimit. Madje, më para ishin aq të përhapur, saqë linjat telefonike bllokoheshin dhe mesazhi mund të të vinte të nesërmen.
Kush do të hyjë i pari në shtëpi në mëngjesin e 1 janarit?
Është e rëndësishme që në shtëpi i pari të hyjë një fëmijë i vogël, mundësisht djalë. Po ashtu, ai që hyn i pari duhet të hyjë me këmbën e djathtë për të sjellë sa më shumë mbarësi.
Hoti dhe Azemi diskutojnë për punëtorët e sektorit privat
KQZ miraton planin e punës, pezullohet nëse ka zgjedhje të j...
AGK-ja e dënon gjuhën e papranueshme dhe të rrezikshme të Lu...
Suedia ia vazhdon kontratën Potterit deri në vitin 2030
FIFA ende nuk pa asnjë reagim pas deklaratave të ministrit t...
Aksion në Prishtinë për largimin reklamave pa leje nga hapës...