Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon nga paneli i Apelit që të refuzojë ankesën e Hashim Thaçit ndaj vendimit për paraburgim

17:07 | 22 Shkurt 2021

Zyra e Prokurorit të Specializuar( ZPS), përmes një parashtrese drejtuar panelit të kolegjit të Apelit, ka kërkuar nga të njëjtit që të refuzojnë ankesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të ushtruar ndaj vendimit të gjykatësit paraprak lidhur me paraburgimin e këtij të fundit

Sipas ZPS-së, ka prova domethënëse se, kur Thaçi ishte President i Kosovës, qeveria e Kosovës u ofroi disa personave përfitime ose ndihmë juridike jo proporcionale bashkëkohore me thirrjen e ZPS-së për intervista e sipas tyre kjo përfshinte edhe tre të emëruar si anëtarë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, Lahi Brahimaj, Sylejman Selimi dhe Rrustem Mustafa, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, sipas tyre, ishte krejtësisht e arsyeshme që gjykatësi paraprak të mbështetej në këto raste dhe mohimet përmbledhëse të Thaçit se ai kishte ndonjë lidhje me to nuk janë të besueshme dhe sipas tyre sigurisht nuk përbëjnë prova që janë ‘kundërshtuar në mënyrë gjithëpërfshirëse’.

ZPS thotë se për sa i përket pagesës së ndihmës Lahi Brahimaj, ishte plotësisht e drejtë dhe e arsyeshme që gjykatësi paraprak të mbështetej në këtë si pjesë e një skeme përfitimesh të ofruara personave të thirrur nga ZPS.“Argumentet e Mbrojtjes në këtë pikë – të miratuara plotësisht nga ato të një të bashkë-akuzuari – nuk arrijnë të demonstrojnë ndonjë gabim të dukshëm në gjetjen në fjalë”, thuhet në këtë shkresë.

Sa i përket Driton LAJÇI, nuk ishte e nevojshme që gjykatësi paraprak të konkludonte se i Akuzuari e udhëzoi posaçërisht atë të bënte diçka të pahijshme.

Sipas ZPS-së, gjetja aktuale e bërë nga gjykatësi paraprak në lidhje me [REDAKTUAR] është se veprime të tilla tregojnë, në minimum, ndikimin dhe kontrollin e të akuzuarit e sipas tyre nuk ka asnjë gabim të dukshëm në arritjen e këtij përfundimi.“Shpjegimet e THAÇI-t përse këtyre incidenteve nuk duhet t’u jepet rëndësi u konsideruan dhe u hodhën poshtë nga gjykatësi paraprak”, thuhet në këtë shkresë.

Tutje thuhet se konteksti i plotë i këtyre incidenteve është shpjeguar diku tjetër, por mbrojtja dështon në përpjekjen për të shpjeguar ndonjë prej tyre dhe ZPS i ka listuar këto më poshtë.“Letra drejtuar ish-Sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara. THAÇI i shkroi një letër zyrtare, jopublike Sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të atëhershëm për të bërë ndryshime kritike dhe penguese në Dhomat e Specializuara në mes të hetimit të përparuar penal të ZPS-së për anëtarët e rangut më të lartë të UÇK-së.

Tutje, përmendin edhe Bekim Sylën e Shpresim Ukaj.“Faljet e dy personave fajtorë për vrasjen e bashkëpunëtorëve. THAÇI kaloi në thelb veprimin e tij të fundit si President duke tejkaluar rekomandimin e bordit të faljes për të ulur dënimet e Bekim SYLAJ dhe Shpresim UKA (ish-anëtarët e UÇK-së dhe SHIK-ut), ky i fundit është i implikuar në përpjekjet për të ndërhyrë me dëshmitarët në gjykimet e mëparshme të UÇK-së”, thuhet në shkresë.Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara