Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffery Hovenier.
Duke kujtuar takimin e fundit që kishin së bashku nga tetori i vitit të kaluar, kryeministri e falënderoi Escobar për vizitën dhe foli për zhvillimet që kanë shënuar këta pesë muaj.
Zyra e Kryeministrit njofton se Kurti tha se sulmi ndaj nënkryetares së Zveçanit, Natasha Tomaniq, duhet dënuar.
Sulmi është vazhdimësi e kërcënimeve të Serbisë ndaj sigurisë së Kosovës pas sulmit terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit në Banjskë ku mbet i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërkohë që kryesit e këtij sulmi ende janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi.
“Në lidhje me rregulloren e Bankës Qendrore, Kryeministri pati diskutim përmbajtjësor të fokusuar në adresimin e shqetësimeve të përbashkëta. Ai tha se vendimi i Bankës Qendrore është vendim i një institucioni të pavarur dhe profesional. Për shkak të ndikimit të rregullores në komunitetin serb të Kosovës, qeveria ka bërë veprime për të siguruar që tranzicioni të jetë i shpejtë dhe i lehtë për qytetarët e Kosovës nga komuniteti serb”, thuhet në njoftim.
Në këtë drejtim kryeministri theksoi edhe propozimet që janë prezantuar për periudhën tranzitore dhe ofroi bashkëpunimin në adresimin e shpejtë të të gjitha shqetësimeve që bien në kompetencat e qeverisë.
Kryeministri e falënderoi z. Escobar për rolin dhe kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe tha se sukseset e Kosovës dhe të popullit të saj janë suksese të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në takim, kryeministri ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati./Arbresh.info/


LEXO EDHE:
Kurti pas takimit me Escobarin: Serbisë t’i kërkohet llogari për sulmin në Banjskë
Krizë politike në Rumani, 7 ministra japin dorëheqjen, socia...
Avokati i Përgjithshëm i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë: P...
Anne Hathaway merr dhuratë një Kuran nga një fans pasi tha f...
Aksident mes dy veturave në tunelin e Llogarasë, lëndohen di...
Kur do të kthehet Vjosa Osmani në LDK? – flet Besian Mustafa
Nderime shtetërore për Qosjen, Haxhiu hap nesër Librin e Zis...