Zhvillohet sot seanca ndaj Haradinajt e Gucatit, Prokuroria kërkon që gjykimi të nis në pranverë

08:03 | 8 Janar 2021

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovёs sot do të mbajë konferencën e radhës për krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Sipas kalendarit të publikuar në faqen zyrtare, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe nënkryetari i organizatës, Nasim Haradinaj, do të dalin para Gjykatës Speciale në Hagë në ora 15:00.

Më 11 dhjetor 2020, Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës konfirmoi aktakuzën e parashtruar më 30 tetor 2020 nga Prokurori i Specializuar kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Gjykimi ndaj krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj mund të nis shumë më shpejtë se sa që është parashikuar.

Kjo pasi që Prokuroria e Specializuar po kërkon që kjo të bëhet qysh në muajt e parë të këtij viti.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar parashtresat e veta për konferencën mbi ecurinë e çështjes ndaj Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit e cila do të mbahet sot.

Në dokumentet të cilat i ka parë lajmi.net shihet se Prokurori i Specializuar ka nënvizuar faktin se do të sigurojë dëshmitë e plota dhe në bazë të rregullave të përcaktuara deri më 19 shkurt do të paraqesë provat.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara