“Zgjedhjet nuk janë zgjidhje”, Kurti për opozitë: Po del që nuk kanë problem me mua, por me popullin

10:57 | 22 Prill 2026
E.H

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se shkuarja në zgjedhje të reja nuk është zgjidhje e duhur për vendin.

Në një prononcim për media, Kurti akuzoi opozitën se nuk janë të gatshëm e as të interesuar për marrëveshje dhe sipas tij, ky është një dëm i madh për shtetin.

“Është e domosdoshme që të merremi vesh. Unë kam qenë shumë bujar me partitë opozitare, ne vetëm 30 orë para skadimit të afatit në mes të 5 dhe gjashtë marsit e kemi propozuar Konjufcën. Kemi pritur gjatë të merremi vesh me opozitën. Kur dikush thotë që nuk bën Vetëvendosja, është duke thënë që nuk bën Glauku dhe ju të gjithë e dini që opozita ka mendim më të mirë për Glaukun se për mua. Pse nuk e votojnë Glaukun, ose nëse nuk e votojnë Glaukun pse nuk propozuan ndonjë emër. Unë e di që nuk i kanë numrat as për të aplikuar, se për të aplikuar një kandidat për president duhen 30 nënshkrime. Por nëse do të bëheshin këto bashkë do ta kishin një kandidat, le t’i përdorin kriteret që i përdorin për neve, një kandidat jashtë skenës politike aktuale dhe le të ecim përpara”, deklaroi Kurti.

“Thjesht nuk po më duken të gatshëm dhe të interesuar për marrëveshje, dhe ky është një dëm i madh për shtetin. Të gjitha këto zhurmat e piskamat që i dëgjoni me ankesa të paarsyeshme ndaj VV-së, nuk janë duke na bërë dëm neve, se prapë ne po mbërrijmë aty, janë duke i bërë dëm shtetit”, tha Kurti.

“Rezultatin e zgjedhjeve nuk e ndryshojmë dot, besoni po del që nuk kanë problem me mua por me popullin, ama do të duhej të reflektojnë se si u bë që dy partitë më të vjetra, njëra ra në 22 deputetë, e tjetra në 15. Në vend se ta analizojnë situatën drejt e vullnetin e popullit ta pranojnë, këta jo bën ky, kjo s’bën ai”, u shpreh tutje Kurti./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale