Zgjedhjet e 9 shkurtit/ Kush siguroi ulësen dhe kush mbeti jashtë Kuvendit?

18:03 | 19 Shkurt 2025
K.B

Pavarësisht se procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë është ende në zhvillim e sipër, mediat kanë filluar të raportojnë për disa prej emrave të mundshëm që pritet të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e re.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, shumë kandidatë garuan për një vend në Kuvend, duke kërkuar mbështetje nga qytetarët për të siguruar një ulëse.
Deri më tani, partitë më të mëdha politike kanë shfaqur emra të njohur dhe të rinj që synojnë të kenë një ndikim të rëndësishëm në proceset legjislative të vendit, raporton Arbresh.info.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka marrë deri tani 40.84% të votave, është partia më e votuar në këto zgjedhje.

Albin Kurti, lideri i kësaj partie, deri tash ka marrë 222 mijë vota, ndërsa pas tij renditet menjëherë Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca me 170 mijë vota. Në këtë top treshe radhitet edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci i cili ka arritur të mbledh 84 mijë sosh.

Pas Pecit, vijnë ministrat tjerë, ai i Financave, Hekuran Murati me 80 mijë, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu me 76 mijë, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla me 72 mijë, e më së paku aktualisht ka ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, e cila deri tash ka mbledhur 68 mijë vota.

Ulëse ka siguruar edhe Avni Dehari që është votuar nga 58 mijë qytetarë, si dhe Mimoza Kusari-Lila me mbi 50 mijë vota. Vota të mjaftueshme për tu bërë pjesë e Kuvendit kanë siguruar edhe Arben Vitia, Ejup Maqedonci, Shqipe Mehmeti-Selimi, Saranda Bogujevci dhe Mefail Bajqinovci.

Përveç suksesit të saj në muzikë, këngëtarja Edona Llalloshi ka arritur të sigurojë një vend si kandidate për deputete, duke grumbulluar mbi 26 mijë vota. Për më tepër, Kuvendit të Kosovës pritet t’i shtohet edhe ish-kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili ka marrë mbi 12 mijë, si dhe trajneri i futbollit, Bylbyl Sokoli, i cili ka siguruar po ashtu, mbi 12 mijë vota.

E partia e dytë më e votuar në këto zgjedhje parlamentare është edhe Partia Demokratike e Kosovës, (PDK), e cila deri më tani ka 22.05 për qind.

Kandidati për kryeministër nga kjo parti, Bedri Hamza ka grumbulluar mbi 122 mijë vota, ndërkaq kreu i PDK-së, Memli Krasniqi me mbi 69 mijë vota, Uran Ismaili renditet si i treti me mbi 29 mijë vota, ndërkaq Vlora Çitaku ka grumbulluar mbi 28 mijë vota sipas listës së fundit të përditësuar me rezultatet.

Një tjetër kandidat që ka tërhequr vëmendjen është Sala Jashari, deputetja nga Prekazi, e cila ka marrë më shumë se 27 mijë vota. Edhe Enver Hoxhaj, një tjetër figurë e njohur e PDK-së, ka siguruar mbi 22 mijë vota.

Listës së kandidatëve për deputetë me më së shumti vota nga kjo parti i bashkëngjiten edhe Përparim Gruda; Ganimete Musliu; Rrahman Rama si dhe Mergim Lushtaku, duke vazhduar me gazetarin Artan Behrami, Ferat Shalën, Nait Hasani, Elmi Reçicën, Fadil Demakun, Altin Krasniqin dhe Xhevahir Gecin.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, (LDK), e cila radhitet e treta për nga votat, sipas rezultateve të deritanishme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kjo parti ka fituar mbi 17 për qind të votave.

Në krye të listës së LDK-së është lideri Lumir Abdixhiku, i cili ka grumbulluar mbi 87 vota, pas tij, vjen Doarsa Kica Xhelili me mbi 34 mijë vota, ndërsa Hykmete Bajrami ka arritur gjithsej afro 33 mijë vota, pastaj vjen Kujtim Shala me rreth 30 mijë vota.

Ulëse në Kuvendin e Kosovës nga LDK kanë arritur edhe Avdullah Hoti me 23,995 vota, Lutfi Haziri me 22,719, Anton Quni me mbi 21 mijë, Jehona Lushaku Sadriu me rreth 17 mijë vota si dhe Imri Ahmeti po ashtu me rreth 17 mijë vota.

Në listën e Koalicionit Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Konservatorët dhe Intelektualët, në dhjetëshen e parë të kandidatëve, pas përpunimit të 73.23% të votave të numëruara, figurojnë emra të njohur të politikës kosovare.

Këta përfshijnë: Ramush Haradinaj, pas tij menjëherë vëllai i tij, Daut Haradinaj, duke pasuar me Fatmir Limaj, Time Kadriaj, Bekë Berisha, Lahi Brahimaj, Arbër Tolaj, Albana Bytyqi, Ardian Gjini si dhe Bashkim Ramosaj.

Ky koalicion, renditet si partia e katërt me 7.45 për qind të votave.

Ndryshe, procesi i numërimit po vazhdon, dhe rezultatet përfundimtare do të japin një pamje më të qartë të balancës politike dhe se si do të formohet legjislatura e re./Arbresh.info/ Edona Krasniqi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme