VV në Gjilan akuzon PDK-në dhe LDK-në për mos pastrimin e lumit Mirusha

17:09 | 1 Korrik 2015
M. A.

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, bashkë me banorët e lagjeve afër lumit Mirusha, kanë organizuar aksion në qendër të qytetit, për të shprehur shqetësimin e tyre lidhur me mos rregullimin e shtratit të këtij lumi.

VV e Gjilanit, ka akuzuar publikisht Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke thënë se secila në mandatet e veta të qeverisjes me komunën, përkundër premtimeve të zëshme elektorale, nuk e kanë zgjidhur problemin me ndotjen e lumit Mirusha.

Deklarata e plotë:

“Kundërmimi që vjen nga ujërat e zeza që po derdhen në lumin Mirusha qe tri – katër dekada po shkon duke u shtuar. Në të gjitha fushatat elektorale, ky projekt jetik për qytetarët e Gjilanit, vendosej në prioritetet e subjekteve politike. Por, në dy mandatet e PDK-së dhe në këtë mandat të tretë të LDK-së, problemi i quajtur lumi Mirusha nuk është zgjidhur.

PDK-ja edhe pse shpenzoi 2-3 milionë euro, kryesisht në pjesën e poshtme të rrjedhës së lumit, e cila për këto 2-3 vite është shkatërruar shumë, nuk e zvogëloi kundërmimin e lumit-kanalizim, dhe as nuk e zvogëloi rrezikun e përhapjes së infeksionit nga ndotja e lumit.

LDK-ja përveç fjalëve të mëdha, vitin e kaluar i ka shpenzuar edhe rreth 150 mijë euro, por problemi ka mbetur i pazgjidhur. Kurse sivjet, edhe pse ka kaluar gjysma e vitit, pushtetarët nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim në këtë drejtim. Përveç numrit të madh të minjve në këtë zonë, tani banorët po rrezikohen edhe nga gjarpërinjtë. Po ashtu, rreziku për përhapjen e infeksionit po rritet.

Banorët e lagjeve që jetojnë përreth lumit Mirusha, po jetojnë në mes të premtimeve për rregullimin e shtratit të lumit dhe kundërmimit të përhershëm, tash e 15 vite. Ata kërkojnë zgjidhje të problemit dhe jo më arsyetime për mungesë mjetesh, sepse jemi të bindur se mungesa e vullnetit për ta zgjidhur këtë problem është pengesë më e madhe se mungesa e mjeteve.

Kryetari i Gjilanit, më në fund, duhet të fillojë të merret me Gjilanin dhe problemet e Gjilanit”, thuhet në deklaratën e VV-së së Gjilanit.

Shpërndaje në rrjete sociale