Vrasja e Enverit, ka vetëm një të dyshuar

14:23 | 15 Shtator 2016
M. A.

Enver Kelmendi nga Malisheva është personi i cili ishte shpallur i zhdukur me datën 11 shtator por i cili është gjetur pa shenja jete një ditë më vonë në afërsi të pyllit në fshatin Mirushë të komunës së Gjakovës.

Ndërsa policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme kishte informuar se është arrestuar një i dyshuar për vrasje.

“Sot me datë 14.09.2016 pas një pune intensive operativo hetimore, Sektori Rajonal për Hetime nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë në bashkëpunim me stacionin policor të Malishevës kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë personin e dyshuar. Personi i dyshuar është : N.K shqiptar/ kosovar i moshës 41 vjeçar nga komuna e Malishevës”, është thënë nga policia rajonale e Gjakovës, përcjellë Indeksonline.

Kurse përpos të dyshuarit me inicialet N.K i moshës 41 vjeçare, është theksuar se nuk ka të dyshuar tjetër në lidhje me vrasjen e personit në fjalë.

Zëdhënësja e policisë për rajonin e Gjakovës Lirije Podrimaj, ka thënë për Indeksonline se në lidhje me vrasjen e Enver Kelmendit është vetëm një i dyshuar i cili edhe është arrestuar gjatë ditës së djeshme.

“Personin e dyshuar e kemi në ndalim, ndërsa të tjerë nuk ka”, ka thënë Podrimaj.

Kurse e pyetur rreth informacionit se i dyshuari ka pranuar se ka kryer veprën ‘vrasje’, Podrimaj ka theksuar se ai ka mundur të flasë dje ndryshe dhe sot ndryshe.

“Ai ka mundur të thotë dje se e ka vrarë, e sot mund të thotë se nuk e ka vrarë. Por ne ndihmohemi vetëm nga provat”, ka shtuar Podrimaj. Gjithashtu sipas saj ka prova të mjaftueshme në këtë rast.

“Ne kemi prova të mjaftueshme që ai është kryesi i veprës dhe ne ndihmohemi nga provat që kemi”, ka thënë ajo.

Po ashtu ajo ka theksuar se nuk dihet ende asgjë rreth motivit të vrasjes së Enver Kelmendit.

Shpërndaje në rrjete sociale