Vrasja e 2023-ës në Dragodan, ekspertja thotë se veprimet e të akuzuarit ishin si rezultat i situatës që përjetoi dhe rrezikut për jetën

20:52 | 30 Mars 2026
E.H

Në gjykimin për vrasjen në Dragodan, në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dëgjuar ekspertja e Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës (IPFK), Blerina Gjuraj-Hoxha, e cila tha se tensionimit të situatës i ka kontribuar irritimi i të akuzuarit Avni Mustafa. Në këtë seancë, lidhur me dëshminë e ekspertes kishte diskutime mes mbrojtësit të këtij të fundit, avokatit Besnik Berisha dhe kryetarit të trupit gjykues, Gent Beka.

Në këtë rast, Avni Mustafa akuzohet për vrasjen e R.T,. në lagjen Dragodan dhe për armëmbajtje pa leje. Ndërkohë, Mustafë Mustafa po akuzohet për pjesëmarrje në rrahje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa Leutrim Mustafa për manipulim me prova, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Çdo irritim normal që kontribuon në agravimin e situatës dhe sigurisë që i kontribuon ngritjes së tensionit psiqik”, tha Gjuraj-Hoxha.

Fillimisht, ekspertja Gjuraj-Berisha pohoi deklarimet e avokatit Berisha se veprimet e të akuzuarit Mustafa, kanë qenë rezultat i situatës që ka përjetuar dhe rrezikut për jetën dhe me pamundësi për zgjedhje të tjera alternative.

Ekspertja Gjuraj-Hoxha tha se padyshim që lëndimet që ka pësuar i akuzuari Avni, kanë intensifikuar reaksionin dhe intensitetin e veprimeve te ai.

Po ashtu, ekspertja pohoj edhe deklarimin tjetër të avokatit Berisha se veprimet e mbrojtësit të tij në ditën kritike ishin të pakontrolluara, të shpejta dhe të fokusuara në drejtim të mbijetesës përballë situatës kërcënuese për jetën e tij.

Ndërkaq në lidhje me atë se i akuzuari nuk ka pasur humbje të realitetit, ekspertja Gjuraj-Hoxha deklaroi se në momentet krtike i bie se i akuzuari ka qenë i aftë mendërisht.

Më pas, në pyetjet e gjykatësit Beka, ekspertja deklaroi se në kuptimin psikologjik arma që kishte në dorë i akuzuari Avni Mustafa nënkupton diçka objektive.

Mirëpo, gjykatësi Beka kërkoi të dinte se tek pjesëmarrësit tjerë çka nënkupton nxjerrja e armës nga i akuzuari Mustafa, e që Gjuraj-Hoxha tha se një veprim i tillë shkakton tension dhe pakënaqësi te të tjerët.

Në lidhje me situatën psikologjike “lufto ose ik”, ekspertja tha se si instikt ose reaksion psikologjik, mund të vjen në shprehje edhe pa cenim të integritetit fizik. Me këtë rast, ajo u pyet nëse me paraqitjen e armës nga i akuzuari Mustafa pa u cenuar integriteti fizik a ka ardhë në shprehje instikti “Lufto ose ik” te pjesëmarrësit e tjerë.

Kjo u pohua nga ekspertja, por shtoi se arma më pas është futur sërish nga çanta e të akuzuarit, nga ku paraprakisht e kishte nxjerrë.

Më tutje, Gjuraj-Hoxha tha se ekspozimi i revoles nga i akuzuari Mustafa, nga të tjerët, varësisht prej personalitetit të tyre, dallon edhe reaksioni sepse në rast se ka një person përballë që e ka parë për herë të parë armën reagimi është i ndryshëm me një polic që mund ta shoh.

Sipas saj, të ekzaminuar kishte të akuzuarin Avni Mustafa dhe jo pjesëmarrësit e tjerë, por gjykatësi Beka kërkonte përgjigje bazuar në të dhënat shkencore për profesionin.

Gjykatësi kërkoi nga ekspertja të di se përse nuk janë listuar të gjitha provat shkresore, por vetëm intervista e të akuzuarit nga ekspertët në raportin e ekspertizës, për këtë Gjuraj-Hoxha deklaroi se në fillim të raportit theksohet se ekspertiza e hartuar nga grupi i ekspertëve bazohet në të gjitha shkresat e lëndës.

Pas përfundimit të dëshmisë së Gjuraj-Hoxhës, në deklarimet e saj patën vërejtje prokurorja Fatmire Cacaj, si dhe përfaqësuesja e palës së dëmtuar, avokatja Jetlira Avdijaj.

Ndërkaq, avokati Berisha i tha kryetarit të trupit gjykues me ndaj ekspertes paraqiti pyetje paragjykuese. Për këtë, gjykatësi Beka i kërkoi Berishës t’i listonte cilat ishin ato pyetje.

Paraprakisht, gjatë parashtrimit të pyetjeve nga ana e gjykatësit Beka për eksperten Gjuraj-Hoxha, avokati Berisha kërkoi që pyetja të ishte më e qartë.

“Jo, sinqerisht a ka mundësi pyetja me qenë më e qartë, pyetja juve me çka e manifeston manifestimin s’e di a po e kuptoni pyetjen”, tha avokati Berisha,

Më pas, Beka iu drejtua Berishës duke i thënë se me siguri nuk po i kupton fjalët e tij si gjykatës, duke i kërkuar që të ulet.

“Nashta as unë s’po e marr veten vesh avokat, në rregull- ulu avokat”, tha Beka..

Po ashtu, avokati Berisha deklaroi se në procesverbal është keq-konstatuar pasi që ekspertja në pyetjen e gjykatësit ka deklaruar se veprimet e Mustafës janë krijuar nga tensioni ndaj tij e jo se situata është tensionuar nga veprimet e tij.

Lidhur me situatën në fjalë, duke u përgjigjur në pyetjen e gjykatësit, ekspertja kishte thënë se procesit të agravimit të situatës i kanë paraprirë emocionet njëri pas tjetrit.

“Procesi i agravimit të situatës ka qenë proces që i ka parapri një emocion pas tjetrit, fatkeqësisht që ka kontribuar në rritje të tensionit psiqik”, tha Gjuraj-Hoxha.

Më pas, gjykatësi Beka tha se pyetja ishte konkrete se në agravim të situatës a kanë kontribuar edhe manifestimet e të akuzuarit Mustafa, e që këtë e pohoi vetë ekspertja.

Avokati Berisha po ashtu kishte vërejtje në mënyrën se si ishte renditja e palëve për marrjen e ekspertes në pyetje, duke deklaruar se meqenëse propozimi i tyre ka qenë dëgjimi, është dashur që mbrojtja të jetë e fundit.

Po ashtu, avokati tha se tashmë ka edhe praktikë ndërkombëtare se pas trupit gjykues mund të parashtrojë pyetje ndaj dëshmitarit mbrojtja. Por, kjo situatë, sipas gjykatësi ndodh vetëm në rastet kur deklarohet diçka tjetër shtesë nga dëshmitari, andaj mund të parashtrohen pyetje pas trupit gjykues.

Avokati Berisha në fund propozoi që të ri-ftohet ekspertja dhe t’i mundësohet mbrojtjes parashtrimi i pyetjeve shtesë për çështjet që dolën gjatë deklarimit të ekspertes në pyetjet e gjykatësit Beka.

Një propozim i tillë u kundërshtua nga prokurorja Cacaj, duke deklaruar se ekspertja ka qenë me ftesë të gjykatës dhe jo me propozim të mbrojtjes. Deklarimin e prokurores e mbështeti edhe përfaqësuesja e palës së dëmtuar, avokatja Avdijaj.

Për këtë propozim, gjykatësi Beka tha se palët do të njoftohen me shkrim pasi që Gjykata ka tejkaluar orarin e saj zyrtar të punës.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 tetor 2023 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Avni Mustafa ngarkohet se më 19 mars 2023, rreth orës 13:20 në afërsi të hotelit “Adria” në Prishtinë, për shkak të një konflikti pronësor që dyshohet të jetë fajde, e ka privuar nga jeta tani të ndjerin R.T, duke e goditur një herë me revole në regjionin e gjoksit. Paraprakisht, thuhet se me vëllanë e tij Mustafë Mustafa ishin takuar me tani të ndjerin dhe dy dëshmitarë, e që pas fjalosjes nisën të dalin nga hoteli ku i akuzuari Avni nxjerr revolen nga çanta e repetit dhe ia drejton R.T., e ky i fundit me qëllim të vetmbrojtjes nxjerrë thikën dhe e godet të pandehurin Mustafë e më pas të pandehurin Avni. Kështu, thuhet se duke u rrahur dalin jashtë hotelit, e më pas i pandehuri Avni shtie me armë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse viktimës R.T.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 të Kodit Penal dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

Aktakuza thotë se i akuzuari tjetër, Mustafë Mustafa në kohën dhe vendin e njëjtë, akuzohet se mori pjesë në rrahje të tani të ndjerit dhe se posedoi thikë, të cilën ia kishte marrë tani të ndjerit. Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje” nga neni 187, par.1 të Kodit Penal dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

Ndërkaq, i akuzuari Leutrim Mustafa akuzohet për veprën penale “Manipulim me prova” nga neni 389, par.1 të Kodit Penal, pasi që në aktakuzë thuhet se ka pranuar nga i pandehuri Mustafë Mustafa çantën e tani të pandehurit Avni Mustafa në të cilën ishte revolja e tipit “Zastaava”, me të cilën ishte kryer vepra penale dhe të njëjtën e kishe fshehur në zyrën e tij.

Shpërndaje në rrjete sociale