Izolimi i Kosovës është në njëfarë formë edhe shenjë e dobësisë sonë, sepse nuk jemi të njohur dhe integruar plotësisht ndërkombëtarisht.
Kështu thotë në një intervistë Gëzim Visoka, profesor i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë.
Visoka thotë se vërehet një lëkundje e përkohshme, e përkrahjes amerikane për Kosovën.
Radio Kosova: Duke parë zhvillimet e fundit, a po shkon Kosova drejt një izolimi në politikën ndërkombëtare?
Gëzim Visoka: Po, mund të vërehet që ka një reduktim të pjesëmarrjes, shkëmbimeve dhe komunikimeve ndërmjet Kosovës dhe vendeve të tjera. Kjo duket që lidhet direkt me qëndrimet e Kosovës ndaj dialogut me Serbinë, por edhe ne terren. Izolimi i Kosovës është në njëfarë formë edhe shenjë e dobësisë sonë, sepse nuk jemi të njohur dhe integruar plotësisht ndërkombëtarisht dhe jemi të varur drejtpërdrejt nga përkrahja evropiane dhe perëndimore. Prandaj çdo gjest që ne e bëjmë, që është sovran dhe në interes të Kosovës, shpeshherë na kushton në rrafshin ndërkombëtar. Nuk është hera e parë që kemi pasur kësi valësh të embargove ose izolimeve të përkohshme, por këto janë problem të një problemi më të thellë, që nuk jemi të integruar plotësisht në sistem ndërkombëtar. Nuk jemi të barabartë me vendet e tjera dhe si të tillë, mund të izolohemi shumë lehtë.
Radio Kosova: A ka ndryshuar politika amerikane në raport me Kosovën, sidomos pas disa mospajtimeve që kanë qenë në raport me Qeverinë e Kosovës, pas zhvillimeve në komunat veriore me shumicë serbe?
Gëzim Visoka: Definitivisht vërehet një lëkundje e përkohshme, por që nuk dihet sa do të zgjasë, e përkrahjes amerikane për Kosovën. Kjo është një dëshmi që për SHBA-në, nuk ka aleatë të përhershëm, por ka aleatë të shfrytëzueshëm ose të përkohshëm, edhe është dëshmi, ose mesazh, që po nuk veprove sipas udhëzimeve, këshillave dhe urdhrave amerikanë, do të përjashtoheni nga rrethi i ngushtë i miqve dhe pastaj me pasoja graduale edhe më tutje. Do të thotë definitivisht ekziston një çarje e raporteve zyrtare dhe këto janë direkt të lidhura me veprimet sovrane të Qeverisë së Kosovës që lidhen me ruajtjen e integritetit territorial edhe të zhvillimeve në veri. SHBA dëshiron që ta shfrytëzojë këtë situatë, ose zhvillimet në veri të Kosovës, për të kthyer kursin politik të Serbisë drejt perëndimit dhe duke e shfrytëzuar Kosovën si karrot për të ndryshuar qëndrimet serbe ndaj Ukrainës, ose përafrimit me Rusinë.
Radio Kosova: A ka Kosova luksin që në këtë fazë të bëjë veprime të tilla duke rrezikuar raportet me SHBA-në dhe BE-në, edhe pse këto të fundit kanë thënë se vazhdimisht se nuk do të ketë ndryshim të kufijve të Kosovës?
Gëzim Visoka: Në një anë keni të drejtë kur bëni këtë aludim mes pyetjes, por në anën tjetër SHBA-ja dhe perëndimi nuk kanë kredibilitet politik për sa i përket mbajtjes së fjalës për disa premtime. Të paktën në raport me Kosovën kanë ofruar shumë premtime retorike që asnjëherë nuk i kanë mbajtur. Mendoj që Qeveria e Kosovës veprimet që i ka bërë janë si rezultat i mospërmbushjes së obligimeve që i ka marrë perëndimi karshi Kosovës, qoftë me njohjet pas pavarësisë, ose me anëtarësimet e premtuara, pastaj me formimin e Gjykatës Speciale, ndryshimet kushtetuese për pakicat dhe shumë akomodime të tjera që i ka bërë Kosova ndër vite kanë qenë gjithmonë tranzakcionale. Do të thotë se perëndimi gjithnjë i ka premtuar Kosovës diçka, por që këto premtime vazhdimisht kanë qenë ose gjysmake, ose janë vonuar me një dekadë p.sh si liberalizimi i vizave. Pra, kemi vazhdimisht premtime të cilat SHBA-ja dhe BE-ja nuk i kanë përmbushë në raport me Kosovën dhe për këtë duket që pala kosovare ka humbur besimin në këto premtime dhe është frikësuar se nëse do të vazhdonte një kurs i njëjtë si gjatë viteve të kaluara do të përfundonte me një autonomi serbe ose ndarje territoriale. Këtu mendoj që është rritja e mosbesimit ndër vite e mospërmbushjes së premtimeve nga perëndimi, që në Kosovë, në media, nuk flitet zakonisht për këto tema, por që mendoj kanë qenë bazamenti mbrapa veprimeve sovraniste, ose të njëanshme të Kosovës në veri, për faktin që e kanë humb besimin, përkrahjen dhe në këtë raport me perëndimin.
Radio Kosova: A ka përkrahje më të madhe të SHBA-së ndaj Serbisë, sidomos për ta tërhequr atë më shumë nga ndikimi i politikës së Rusisë?
Gëzim Visoka: Ukraina e ka ndryshuar kursin e politikës së jashtme të SHBA-së në rajon dhe duket që janë të interesuar me çdo kusht që ose ta mbajnë Serbinë neutrale, ose ta kthejnë pro perëndimit. Këtë janë duke e bërë, duke e ngritur përkrahjen bilaterale ndaj Serbisë, duke ngritur përkrahjen e Serbisë në raport me Kosovën, duke justifikuar dhe mos ndëshkuar sjelljet totalitare të Vuçiqit. Duket që me të vërtetë SHBA-ja është e interesuar që në këtë periudhë, sa është lufta aktive në Ukrainë, të duken që janë aleatë të Serbisë dhe kjo po ndodh në kurriz të Kosovës, e deri në një masë edhe të Bosnjës, sepse në këto dy vende Serbia ka interesa dhe këto janë disa hapësira ku SHBA-ja dhe perëndimi e lejon Serbinë të ndërhyjë, ose e lejon Serbinë që të krijojë përshtypjen se po përfiton nga këto ndërhyrje rajonale me qëllim që ta largojë atë nga ndikimi i Rusisë dhe i Kinës.
Radio Kosova: Si i shihni sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, kur të tilla nuk janë imponuar ndaj Serbisë, si i vetmi vend në BE që nuk ka vendos sanksione ndaj Rusisë?
Gëzim Visoka: Definitivisht janë masa të njëanshme, që nuk janë të justifikuara ligjërisht në bazë të ndonjë vlerësimi objektiv të rrethanave. BE është një ndërmjetësues i dialogut, nuk është arbitër dhe ka marrë lirinë që në mënyrë të njëanshme të vendosë këto masa. BE nuk ka pasur asnjëherë ndonjë mekanizëm për të monitoruar ose matur të mënyrë objektive përmbushjen ose mospërmbushjen e marrëveshjeve. Po të ishte masa si bazë e një vlerësimi objektiv, ku do të mateshin shkeljet që i ka bë Kosova në raport me ato të Serbisë, dhe ku do të nxirrnin ndonjë përfundim, atëherë do të kishin një arsyetim logjik, por rrethanat se si janë vendosur këto masa janë definitivisht të padrejta dhe me pasoja afatgjate e kam përshtypjen, ngase BE-ja nuk duket që është e interesuar t’i tërheqë këto masa dhe ka krijuar një realitet të ri politik ndaj Kosovës, sepse BE-ja mund të kërkojë pafundësisht nga Kosova koncesione në shkëmbim të lehtësimit të këtyre masave. Kemi një regresion në raport me BE-në dhe Kosovën dhe kjo prapë do të jetë në kurriz të kufizimeve dhe imponimeve të njëanshme që do t’i bëhen Kosovës dhe jo Serbisë.
Xherdan Shaqiri shpallet “Sportisti i vitit 2025 në Basel”
Abdixhiku pas takimit të kryesisë: Zgjodhëm dialogun, përçar...
Berisha: Shqiptarët dhe mbarë bota po pret guximin tonë në p...
Vinicius mund të rinovojë me Real Madridin së shpejti
Radev jep dorëheqje si president i Bullgarisë mes thashethem...
KEK-u padit Janina Ymerin për deklaratat e saj për rrymën në...