Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës pritet t’i gëzojnë të drejtat e tyre

19:32 | 1 Korrik 2015
M. A.

16 vjet pas përfundimit të luftës, kategoria më e ndjeshme, ajo e dhunës seksuale, pritet t’i gëzojnë të drejtat e tyre. Komisioni për verifikimin dhe njohjen e statusit të kësaj kategorie pritet të jetë gati së shpejti.

Kështu u tha në mbledhjen e katërt të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit të Dhunës Seksuale të Luftës, drejtuar nga presidentja Atifete Jahjaga, ku u prezantua edhe formulari për aplikim, raporton KTV.

E para e vendit kërkoi nga qeveria që sa më parë të ndërmarrë hapat e nevojshëm për formimin e komisionit qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit të këtyre viktimave dhe kështu t’i hapet rrugë procesit të verifikimit.

Ndërsa ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, tha që së shpejti këto kategori do të kenë trajtim ligjor, institucional, social, psikologjik dhe financiar. Sipas tij, verifikimi do të fillojë brenda këtij viti, transmeton Koha.net.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Connel, tha se kryesit e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë duhet të dënohen.

Shpërndaje në rrjete sociale