Vetëvendosje kundërshton ndarjen etnike të FAK-ut

14:49 | 24 Maj 2015
M. A.

 

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka paralajmëroi se Kosovës po i kanoset rreziku që përmes mundësisë së vetos nga Lista Serbe, të kushtëzohet krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, me ndarjen e këtij institucioni në baza etnike.

“Marrëveshja e arritur në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, e ndan Policinë e Kosovës në baza etnike. I njëjti model po tentohet të aplikohet edhe tek Forcat e Armatosura të Kosovës”, ka thënë Selimi në një konference për media të organizuar nga Komiteti për Mbrojtje dhe Siguri në Lëvizjen Vetëvendosje.

Në këtë konferencë foli edhe drejtuesi i Komitetit për Mbrojtje dhe Siguri në këtë parti Shemsi Syla, i cili tregoi se si “nga 5 zonat e parapara si regjimente të Gardës Kombëtare, parashihet që një regjiment t’i takojë komunave me shumicë serbe. Krijimi i një regjimenti me komandë serbe është rrezik shumë i madh sepse pikë së pari rrezikon vetë institucionin e Ushtrisë duke e bërë atë jofunksionale. Kjo ngase në këtë strukturë, paralajmërohet që do të futen të gjithë ata ushtarakë të cilët i takonin një organizimi tjetër, paramilitar, pra që funksiononin në kuadër të Mbrojtjes Civile apo strukturave të tjera paralele të Serbisë në Kosovë.”

Lëvizja Vetëvendosje, thotë kumtesa e kundërshton ndarjen etnike të vendit, dhe në këtë linjë edhe ndarjen etnike të Forcave të Armatosura të Kosovës. Ne jemi për një shtet unik dhe funksional, ku të gjitha minoritetet janë të sigurta, gëzojnë të drejtat e tyre të pamohueshme dhe kanë mirëqenie të barabartë. Por ajo që po ndodh në Kosovë, dhe që do të kundërshtohet fuqishëm nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, është zgjerimi i planeve agresore të Serbisë, në emër të gjoja zgjerimit të të drejtave për minoritetin serb. Serbia, përmes Listës Serbe dhe në marrëveshje me Qeverinë e Kosovës, po synon shndërrimin e Kosovës në një shtet të ndarë, jofunksional dhe të dështuar./Arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale