Emërllahu flet për herë të parë si lojtar i Polissyas: Kosova, lufta në Ukrainë dhe ëndrra evropiane

18:59 | 3 Shkurt 2026
D.H

Lindon Emërllahu ka dhënë intervistën e tij të parë të gjatë për kanalin zyrtar të klubit ukrainas Polissya Zhytomir, ku ka prekur disa nga temat më të rëndësishme të karrierës dhe jetës së tij personale.

Mesfushori kosovar ka folur për hapat e parë në futboll, rrugëtimin drejt përfaqësueses së Kosovës, synimet me klubin e ri, si dhe për realitetin e të jetuarit në Ukrainë, një vend që vazhdon të përballet me luftë.

Emërllahu u transferua te Polissya në merkaton që lamë pas nga klubi rumun CFR Cluj, duke nënshkruar kontratë trevjeçare. Ai u prezantua si një nga afrimet kryesore të klubit për të ardhmen.

23-vjeçari ka kujtuar me krenari debutimin e tij me Kosovën, i cili erdhi në moshën 19-vjeçare. Deri më tani, Emërllahu ka zhvilluar 12 ndeshje me Kombëtaren, duke shënuar një gol dhe duke asistuar dy herë.

Ai veçoi fitoren e madhe të Kosovës ndaj Suedisë me rezultat 2:0 në Prishtinë, në shtatorin e vitit të kaluar, ndeshje në të cilën u aktivizua në minutat e fundit.

“Nuk ka rëndësi se ku luan një futbollist. Kur vesh fanellën e ekipit kombëtar, duhet të japësh gjithçka, të lësh gjithçka në fushë, vetëm për ta bërë vendin tënd të lumtur”, u shpreh Emërllahu.

Sa i përket Suedisë, ai theksoi cilësinë e kundërshtarit, duke veçuar Alexander Isakun dhe Viktor Gyökeresin si lojtarët më të rrezikshëm.

Emërllahu ka bërë të qarta ambiciet e tij me klubin ukrainas, duke synuar paraqitjen në Ligën e Konferencës ose në Ligën e Evropës në sezonet e ardhshme.

Pavarësisht situatës së sigurisë në Ukrainë, ai theksoi se nuk ka pasur frikë nga transferimi.

“Ka rrethana në jetë që nuk varen nga ne. Nuk mund t’i ndryshosh. Jeta është e tillë”.

Ai sqaroi se gjatë qëndrimit të parë në Ukrainë ka qenë vetëm dy ditë, për vizita mjekësore dhe nënshkrimin e kontratës, duke mos përjetuar situata të rrezikshme.

Një rol të rëndësishëm në ambientimin e Emërllahut po e luan edhe prania e Ilir Krasniqit, bashkëlojtarit të tij te Polissya dhe në Kombëtaren e Kosovës.

“Kur ke një mik me të cilin luan edhe në Kombëtare, gjithçka është më e lehtë. Mund të flasësh shqip dhe të ndihmon shumë në adaptim. Iliri ka përvojë këtu dhe jam i lumtur që është pranë meje”, tha Emërllahu.

Ai shtoi se me Krasniqin njihet prej disa vitesh dhe se debutimin me Kosovën e kanë bërë bashkë.

Shpërndaje në rrjete sociale