Vetëvendosje ka edhe një ditë kohë për të vendosur: kandidat i ri apo zgjedhje të reja?

09:07 | 4 Nëntor 2025
E.K

Vetëm edhe një ditë i ka mbetur Lëvizjes Vetëvendosje për të vendosur nëse do të propozojë një kandidat tjetër për kryeministër, apo vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Afati 10-ditor, brenda të cilit presidentja Vjosa Osmani duhet ta mandatojë një kandidat të ri ose të shpallë zgjedhjet, përfundon nesër, më 5 nëntor.

Deri tani, nga Vetëvendosje nuk ka pasur asnjë sinjal publik për një emër të mundshëm që mund të marrë mandatin për formimin e Qeverisë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka deklaruar se deri më tani nuk ka pasur takim të ri ndërmjet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe presidentes Vjosa Osmani, pas atij që u mbajt me liderët e partive parlamentare javën e kaluar.

Dugolli sqaroi se partia nuk ka propozuar asnjë kandidat tjetër përveç Albin Kurtit.

Ndryshe, kandidati i parë i VV-së, kryeministri në detyrë Albin Kurti, nuk arriti të sigurojë shumicën në Kuvend. Ai mori 56 vota për — të pamjaftueshme për të formuar qeverinë e re.

Pas votimit, Kurti i kërkoi presidentes disa ditë shtesë kohë, por pa një epilog konkret.

Në anën tjetër, partitë opozitare janë shprehur qartë në favor të zgjedhjeve të reja, duke theksuar se aktualisht nuk ekziston shumicë parlamentare për formimin e një qeverie tjetër.