Vetëdorëzohet në Polici i kërkuari për përfshirje në vrasjen e dy vëllezërve në Gjakovë

13:32 | 14 Korrik 2023
Diellza Gashi

Policia Rajonale e Gjakovës njofton se sot është vetëdorëzuar personi i kërkuar Zef Ademaj, nën dyshimin për përfshirje në vrasjen e dy vëllezërve në Gjakovë,

Në njoftimin e Policisë, thuhet se i dyshuari ishte në kërkim që nga 29 qershori 2023, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, me datën 29.06.2023 ka lëshuar kërkesë për bashkëpunim me qytetarë për arrestimin e personit të dyshuar Zef (Viktor) Ademaj i lindur me 23.03.1988, banues në fshatin Zllakuqan-Klinë, i cili kërkohej për veprën penale ‘Vrasje e rendë’ (ndodhur me datën 25.06.2023 në fshatin Madanaj-Gjakovë). Pas publikimit të fotografisë së personit të kërkuar, i njëjti sot me datë 14.07.2023, është vet dorëzuar në polici”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndryshe, lidhur me rastin e vrasjes së H.I dhe B.I., është arrestuar Gj.Gj., dhe i njëjti është dërguar në masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Shpërndaje në rrjete sociale