Vendosja e laurave në vendkalimet e hekurudhës, e domosdoshme

21:38 | 9 Mars 2026
E.G

Në linjën hekurudhore Prishtinë-Pejë ka disa kryqëzime me rrugë për vetura, shumica pa shenja paralajmëruese ose laura. Kjo linjë funksionon prej rreth 20 vitesh, dhe aksidentet në këto vendkalime janë të shpeshta. Vitin e kaluar, Infra Kosova dhe Ministria e Infrastrukturës kanë filluar vendosjen e barrierave për rritjen e sigurisë.

Një nga vendkalimet më të rrezikshme ndodhet në Pejë, ku për më shumë se një dekadë komunikacioni ka funksionuar pa shenja paralajmëruese ose ndalesa të sigurisë. Një tjetër kryqëzim me rrezikshmëri për jetën ndodhet në fshatin Ujmirë të Klinës.

Sokol Krasniqi, kryetar i fshatit Ujmirë, thotë: “Unë kam bërë disa kërkesa për vendosjen e barrierës këtu, sepse popullata rrezikohet. Treni qarkullon dy herë në ditë dhe banorët nuk kanë sinjalizim apo shenja paralajmëruese. Për fat të mirë nuk ka pasur viktima, por disa herë kanë ndodhur incidente”.

Martin Halilaj, hetues i aksidenteve hekurudhore, thekson se vendosja e barrierave është e domosdoshme aty ku ka frekuentim të madh të veturave:

“Jo çdo vendkalim duhet të pajiset me barrierë, sepse kostoja është e madhe. Vendosja e barrierave bëhet në bazë të disa kushteve, si numri i automjeteve dhe numri i trenave që qarkullojnë në atë vendkalim”.

Linja hekurudhore Prishtinë-Pejë është e vetmja linjë për udhëtarë dhe funksionon prej rreth 20 vitesh. Infra Kosova, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës, ka filluar vendosjen e barrierave në korrik të vitit të kaluar. Sipas përgjigjes me shkrim, deri tani janë vendosur tri laura në vendkalimet më kritike, ndërsa për vitin 2025 planifikohet vendosja e tetë barrierave të tjera, me një kosto totale deri në 300 mijë euro.

Shpërndaje në rrjete sociale