Vdekja e dy punëtorëve në Gjakovë, kërkohet paraburgim ndaj dy të dyshuarve

18:17 | 22 Korrik 2025
Q L

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar paraburgim ndaj dy personave të dyshuar për vdekjen e dy punëtorëve në rrugën “Bardhyl Qaushi” në Gjakovë.

Sipas prokurorisë, ndaj të pandehurve, Xh.P., dhe A.M., ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Prokuroria ka vlerësuar se investitori në objektin ky vdiqën dy punëtorët, nuk ka instaluar pajisjet mbrojtëse për t’u kujdesur për sigurinë dhe shëndetin në punë për punëtorët.

Sipas pikës I të kërkesës, i pandehuri Xh.P., përgjegjës i NTSH “Sh….” Sh.P.K., në cilësinë e punëdhënësit dhe investitorit, dyshohet se nuk ka instaluar dhe nuk ka siguruar përdorimin e pajisjeve mbrojtëse, si jelekë, helmeta, litarë sigurie dhe skela mbrojtëse. Moszbatimi i masave të sigurisë në punë, sipas Prokurorisë, ka rezultuar me rënien nga lartësia prej 9 metrash të viktimave, të cilët vdiqën si pasojë e lëndimeve të marra. Ai dyshohet për veprën penale nga neni 358 paragrafi 7 lidhur me paragrafët 3 dhe 2 të Kodit Penal.

Sipas pikës II të kërkesës, i pandehuri A.M., përgjegjës i kompanisë “M.G.” Sh.P.K., në cilësinë e punëkryesit, akuzohet për të njëjtat shkelje në fushën e sigurisë në punë. Edhe ai dyshohet se nga pakujdesia ka shkaktuar vdekjen e dy punëtorëve duke mos zbatuar masat ligjore për mbrojtje në vendin e punës.

 

Të ngjashme