Google ADS

Vazhdon takimi Kurti- Vuçiq me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel

13:05 | 21 Nëntor 2022
L G

Ende po vazhdon takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, takim ky që u thirr nga shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell e ku i pranishëm në tryezë është edhe emisari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Të dy liderët nga Kosova e Serbia u ftuan urgjent në kryeqendrën evropiane si tentim nga evropianët për të ulur tensionet tash kur pritet në nisë edhe zbatimi i masës së dytë të shkallëzuar nga Qeveria e Kosovës sa i përket targave ilegale, asaj të dënimeve, hyrja në fuqi e së cilit vendim u shty për të martën.

“T’i japim fund menaxhimit të krizave të vazhdueshme dhe në vend të kësaj të fillojmë të përparojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, kishte shkruar të dielën në Twitter, Borell.

Para takimit trepalësh, Borell e Lajçak herët paradite patën takime të ndara me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti e me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ndonëse në takim, kryeministri i Kosovës ishte i vetëm përballë Borellit e Lajçakut nga pamjet shihet se para nisjes së takimit në objektin e BE-së ishte edhe kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla e ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami.

Korrespodentja, Gjeraqina Tuhina në një lidhje të drejtpërdrejt nga Brukseli tha për RTK-në se varësisht nga kohëzgjatja e takimit trepalësh, do të do të jetë indikacion nëse i njëjti ka pasur ose jo sukses.

“Sa më i shkurtër të jetë takimi do t’i bie se nuk ka marrëveshje, nëse do të jetë më i gjatë e do të kalojë në orët e pasdites, atëherë do të jetë edhe sinjal që palët po mëtojnë të gjejnë një zgjidhje kompromisi. Të gjitha opsionet janë të hapura dhe mbetet të shihet kur dhe si do të përfundojë ky takim dhe cili do të jetë epilogu i të njëjtit”, tha ajo.

Takimi i fundit mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq ishte mbajtur më 18 gusht në Bruksel, aty ku palët ishin pajtuar që takime të nivelit të lartë të zhvilloheshin çdo muaj. Pavarësisht kësaj takim tjetër që nga ajo kohë nuk pati, derisa ky i sotmi vjen pas tre muajsh.

Të ngjashme