Valon Murati thotë se nuk beson që kryeministri Kurti do të arrijë marrëveshje me Serbinë

00:29 | 15 Dhjetor 2021

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, thotë se nuk beson që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të arrijë marrëveshje me Serbinë, e për këtë thotë se peng është mënyra e tij në politikë.

Murati në emisionin ‘dPt te Fidani’ tha se nëse vjen ndonjë marrëveshje që mund të na ofrohet si ‘mere ose leje’, kjo Qeveri mund të rrëzohet, sipas tij, si qeveritë tjera që kanë rënë.

“Peng është mënyra se si e ka bërë politikën, se si e sheh veten në politikë, si e sheh veten në raport me historinë. Mundet me pasë frikë se si mbetet edhe nëse ka bërë ndonjë kompromise. Ai e ka situatën ideale me na zgjidh problemin. Ky nuk jep ndonjë meritë që nuk e ka bo atë. ‘Nuk e pranoj asocacionin, dështoj, bjen qeveria, zgjedhje të reja, prishet me amerikanët’, që besoj se mund të ndodh. Sepse presioni do të jetë shumë I madh, dhe nëse nuk e pranon një marrëveshje që mund të na afrohet si mere ose leje, mund edhe të bije, sic kanë ra edhe qeveritë tjera, mos të harrojmë prej Qeverisë Mustafa, Haradinaj, Kurti I. Kanë ra për shkak të bisedimeve dhe për shkak të raporteve me Serbinë”, tha Murati.

Ai thotë se kryeministri nuk duhet të pranojë Asocacionin, por sipas tij, ai duhet ta ketë opsionin e tij të zgjedhjes.

“Kjo nuk do të thotë që ofertat që po na vijnë janë të mira dhe që kryeministri do të duhej gjithsesi t’i pranonte. Jo, kryeministri nëse nuk duhet ta pranoj asociacioni, duhet ta ketë opsionin e vetë. Nuk është e mjaftueshme të thuhet NUK E DU dhe unë du që të respektohet Kushtetuta. Jo o zotni, a po e din që nuk ka ashtu. Në bisedime nuk ka me shku e m’u respektu Kushtetuta e Kosovës. Por kjo është përparësi për ty. Cfarë shteti është ky kur 5 për qind të qytetarëve mund ta bllokojnë ndryshimin e kushtetutës, në atë 5 përqind është lista serbe”, shtoi ai.