Universiteti i Prishtinës (UP) ka përsëritur thirrjet drejtuar të gjitha organeve ligjzbatuese për të ndërhyrë në ndalimin e aktiviteteve ilegale ndërtimore dhe biznesore në hapësirat e kampusit qendror, veçanërisht mes Bibliotekës Qendrore Universitare dhe Institutit të Kimisë.
Sipas njoftimit të UP-së, personeli i universitetit ka njoftuar më 23 shtator dhe 25 tetor 2025 Inspektoratin e Komunës së Prishtinës për këto punime të jashtëligjshme.
“Megjithatë, vizita në terren e drejtorit të Inspektoratit më 27 tetor 2025 nuk solli asnjë veprim konkret, duke lejuar vazhdimin e aktiviteteve ilegale”, thuhet në reagimin e UP-së.
Universiteti denoncon se, përkundër deklaratave zyrtare të komunës se objektet po rinovohen për nevojat e studentëve, aktualisht hapësira po përdoret për qëllime komerciale.
UP-ja ka thënë se faqja e subjektit në rrjetin social Facebook e prezanton objektin si “Zoe Hotel”, “një hotel luksoz që synon klientelën e biznesit dhe turizmin urban, duke devijuar nga misioni akademik dhe shërbimi ndaj studentëve”.
UP-ja paralajmëron se nëse institucionet ligjzbatuese nuk ndërhyjnë për të ndalur këto veprimtari, universiteti rezervon të drejtën legjitime për të penguar qasjen e palëve të treta në hapësirat e tij.
“Menaxhmenti i UP-së është i vendosur për të rikthyer pronat e uzurpuara në shërbim të dijes, përparimit shoqëror dhe zhvillimit ekonomik, duke mbrojtur misionin e mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe aktiviteteve studentore”, vijon reagimi.
Arbeloa beson se Mbappe do të udhëtojë me skuadrën në Manche...
Irani kërcënon Europën/ Ambasadori iranian në OKB: Nuk e për...
Heqja e fusnotës vlerësohet hap pozitiv për Kosovën
Mot me diell dhe vranësira të shpërndara gjatë vikendit në K...
Kurti emëron Donika Gërvallën Koordinatore Kombëtare për mbr...
Qeveria ndan 500 mijë euro për shqiptarët që gjenden në Lind...