Trupi gjykues njofton se në fund të dëshmisë do të marrë vendim për provat materiale të paraqitura nga dëshmitarja Pumper

12:00 | 21 Tetor 2021 | Arditë Shkodra

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë të Holandës po vazhdon intervistimi i dëshmitares së parë në rastin e ish-krerëve të OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati.

Këta dy të fundit po marrin pjesë në seancë me prezencë fizike, raporton arbresh.info

Seanca e sotme është vazhdimësi e asaj të djeshmes, ku mbrojtja e Gucatit, avokati Jonathan Rees, po interviston dëshmitaren Zdenka Pumper.

Kryetari i trupit gjykues, Charles L.Smith III, përmes një urdhëri me gojë, ka njoftuar opinionin si dhe të pranishmit në sallë se trupi gjykues do të marrë vendim në fund të dëshmisë së Zdenka Pumper për provat materiale të paraqitura nga ajo.

“ Për sa i takon paraqitjes së provave, siç jeni në dijeni trupi gjykues ka shtyrë marrjen e vendimit për një sërë provash materiale të paraqitua nga zonja Pumper deri në përfundim të dëshmisë së saj, kur të vijë momenti i atij diskutimi nga prokuroria pritet të lexohet një përmbledhje koncize e deklaratave të dëshmitares për procesin verbal, në seancë të hapur”, ka bërë të ditur Smith.

Ai ka thënë se sa i përket klasifikimit të provave do të merret parasysh edhe qëndrimi i mbrojtjes.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës./ArditëShkodra/arbresh.info/

Lajmet më të lexuara