Trungu 300 vjeçar mbi 60 metra rrënjë, vendi ku filloi rezistenca e armatosur

12:59 | 13 Qershor 2021 | Vlora Selimi

Flamuri kombëtar në maje mbi trungun 300 vjeçar që ka rrënjë të thella deri në 60 metra, simbolizon fillimin e rezistencës të armatosur ndaj okupatorëve serbë.

Pikërisht në këtë vend, filloi edhe beteja e parë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për Lah Hasanin, 67 vjeçarin nga Likoshani është ende i freskët kujtimi i 28 shkurtit të vitit 1998.

“Këta lisa i kanë afër 300 vjet, këta lisa janë shenjë e historisë. Më 28 shkurt në ora 11:00 këtu ka fillua lufta e UÇK-së për herë të parë. Këtu e kanë plagu edhe Sabit Lladrovcin. Këta lisa qysh kanë thënë pleqtë, këta janë bij vetë dhe kur i kanë pa që janë gjashtë më një rraj është vendos që mos të dëmtohen. Aferë 60 metra i kanë rrënjët këta lisa”.

Gjashtë lisat në një trup,  ishte edhe vend tubim i banorëve të katundit për tubime të ndryshme.

Hasani ka edhe një drojë për gjashtë lisat unik.

“Ky lisi u kanë shenjë gjithmonë edhe për katundin. Ky u metë edhe shenjë e luftës përgjithmonë. Këta s’ka ba mi pre kurrkush as degët, çka do që ka pas katundi këtë i ka mbajt tubimet për gjithçka. Këta me u kujdes nuk kujdeset askush. Këta kanë fillu edhe me u dëmtu dhe pas një kohe s’besoj që do të mund të mbijetojnë”.

Ndonëse shkaku i veçorisë e vjetërsisë së tij, Likoshani ka edhe vizitor të ndryshëm, Hasani është i zhgënjyer me institucionet e vendit.

Ky lis që vetëm në letra është në mbrojtje të shtetit, duket se ka mbetur në harresë.

“Edhe flamurin na banorët këtu e kemi vendos si shenjë e betejës së parë. Vinë vizitor të shumtë pasi janë shenj e luftës plus që janë të vjetër”.

E ndonëse degët kanë filluar të thahen, kujtimet e luftës janë ende të gdhendura në gjashtë trupat e tij.

“Unë jam tut që në luftë i kanë pre por kur jemi kthye i kemi pa që si kanë pre e kishin vizatu kryqe nëpër këta lisa”.

Ndryshe tek ky ven i quajtur “ Gjashtë lisat” u zhvilluan luftimet në mes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave ushtarake e policore serbe. Në luftimet e zhvilluara mbetën të vrarë disa policë serbë. Si pasojë e kësaj, forcat armike rrethuan të dy fshatrat ku ekzekutuan 24 civilë të pafajshëm. Në vitin 2006 është marrë nën mbrojtje si monument i natyrës me karakter botanik./arbresh.info/

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara