Faturat e Termokos-it në kutitë postare në një ndërtesë banimi në Prishtinë.
Ky grup u ka bërë thirrje Termokos-it dhe ZRRE-së, si trup rregullues, që të ndërmarrin masa për shqyrtimin e këtyre faturave, dhe që “kostoja e tepërt të zbritet në faturat e dhjetorit”.
ZRRE-ja, e cila ka kompetencë për të bërë auditimin e faturimit, i tha REL-it se “në vazhdimësi monitoron, ndër tjera, edhe zbatimin e faturimit me matje për ndertesat e banimit kolektiv”, pa dhënë detaje shtesë mbi gjetjet e monitorimit.
Përveç ankesave zyrtare në Termokos, qytetarët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për faturat e sivjetme edhe në llogaritë e tyre në rrjetet sociale, përfshirë edhe në ato të vetë ngrohtores.
“Nëse çmimi i ngrohjes me Termokos është ky që e keni faturuar këta dy muaj (trefishi i vitit të kaluar), shumë qytetarë do të detyrohemi të shkëpusim kontratat dhe të vazhdojmë ngrohjen me energji elektrike”, shkroi një qytetar në një postim në faqen e Termokos-it në Facebook.

Të tjerë qytetarë, si Hykolli dhe Rama, janë ankuar se kontrolluesi i temperaturës nuk po funksionon siç duhet, pasi radiatorët ngrohin vetëm kur ai vendoset në maksimum, përkatësisht te niveli i pestë.

Kështu, ata thonë se janë të detyruar të shfrytëzojnë nivelin maksimal të nxehtësisë.
Në anën tjetër, sipas udhëzimeve të Termokos-it, numri tre është niveli i rekomanduar i vendosjes së kontrolluesit të temperaturës.
“Na kanë këshilluar t’i lëshojmë [në nivelin e tretë]. Kur i lëshojmë në tresh, nuk ngrohin fare. Nuk duhet të faturohej”, thotë Rama.
Sipas Termokos-it, në rast se radiatorët nuk ngrohin në nivelin e tretë, “kjo nënkupton se temperatura e brendshme në banesë është më e lartë se 20 gradë celsius”.

Derisa presin shqyrtimin e ankesave, qytetarët thonë se nuk kanë mundësi të paguajnë faturat e larta.
“Vetëm mund ta paramendosh. [Gati] 300 euro për një muaj e gjysmë, shumë gjëra duhet t’i heq nga ushqimi i fëmijëve për t’i paguar ato. Nuk mund ta përballoj atë pagesë”, thotë Faton Rama, i cili jeton me bashkëshorten dhe tre fëmijë.
Edhe për Mehreme Hykollin, kjo është situatë e papërballueshme.
Ajo tregon se njeh qytetarë që kanë refuzuar ose kanë shmangur vendosjen e matësve, ndërsa vetë ajo kishte pranuar me dëshirë, me idenë se do të kursejë.
“Ne që jemi treguar qytetarë bashkëpunues, tani po mërdhijmë”, thotë Mehremja.
Për shpërndarjen e ngrohjes, Termokos-i shfrytëzon energjinë termike që buron nga termocentrali Kosova B i Korporatës Energjetike të Kosovës, përkatësisht nga avulli i ujit pas djegies së thëngjillit.
Ky sistem ka hyrë në fuqi nga viti 2014.
Deri në vitin 2014, Termokos-i ka përdorur mazutin si lëndë djegëse, por furnizimi me ngrohje nuk ka qenë gjithmonë i kënaqshëm./REL/
Policia me urdhër operativ për zgjedhjet, publikon numrat ku...
Katër të arrestuar pas përleshjeve pranë një qendre imigraci...
Sulm me dron në Sudan, 11 civilë humbin jetën në një treg
Këtu mund të gjeni qendrën tuaj të votimit
Çfarë dokumenti duhet të keni me vete për të votuar sot?
Hapen qendrat e votimit në Kosovë, Radoniqi fton qytetarët t...