Thjeshtohen procedurat administrative për regjistrimin e të porsalindurve

13:00 | 27 Mars 2025
E.H

Në një ngjarje të organizuar sot në Ndërtesën e Qeverisë, u bë lansimi i pilotimit të shërbimeve të integruara për ngjarjen jetësore të lindjes së fëmijës, me pjesëmarrjen e kryeministrit të vendit, Albin Kurti, Shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav dhe Ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde.

Kjo nismë e Qeverisë së Kosovës u mundësua përmes projektit të mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane dhe zbatohet nga GIZ, transmeton Arbresh.info.

Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti tha se sot po hapim një kapitull të ri në mënyrën se si shteti ofron shërbime publike më të afërta me qytetarin, më të koordinuara, më të thjeshta dhe digjitale.

“Me zgjidhjen që po pilotojmë sot, prindërit nuk kanë më nevojë të shkojnë nga një sportel në tjetrin për të kryer procedura të ndryshme. Të gjitha të dhënat e nevojshme për regjistrimin e fëmijës, për benefitet që u takojnë, për sistemin shëndetësor e për vaksinimin, mblidhen që në spital, në momentin e lindjes, dhe shpërndahen automatikisht te institucionet përkatëse”, u shpreh kryeministri.

Shërbimet që përfshihen në këtë zgjidhje janë: regjistrimi i lindjes në regjistrin civil, aplikimi për përfitimet për nënën dhe fëmijën, regjistrimi në sistemin shëndetësor, regjistrimi i vaksinave, hapja e llogarive në eKosova për prindërit dhe njoftimi elektronik i institucioneve statistikore dhe shëndetësore. Në kuadër të kësaj nisme, në platformën eKosova është krijuar edhe një seksion i veçantë për lindjen e fëmijës, ku qytetarët mund të informohen dhe të planifikojnë faza të ndryshme të kësaj periudhe – nga para-shtatzënia deri te kujdesi pas lindjes.

Kryeministri falënderoi Njësinë për Transformimin Digjital në Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Shëndetësisë, Agjencinë e Regjistrit Civil, Agjencinë për Shoqëri të Informacionit, Ministrinë e Financave, Punës dhe Trasnfereve, Agjecinë e Statistikave të Kosovës dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Falënderim të veçantë, ai shprehu ndaj Bashkimit Evropian dhe Qeverisë Gjermane, për mbështetjen përmes aktivitetit të bashkëfinancuar të zbatuar nga GIZ, si dhe OECD/SIGMA për kontributin e saj.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia deklaroi se digjitalizimi i shëndetësisë mbetet një nga prioritetet kyçe transformimit publik në vendin tonë. Krahas pilotimit të shërbimeve që u prezantuan sot, ai tha një arritje e veçantë është edhe digjitalizimi i fletores së fëmijës e cila do të lansohet së shpejti në platformën e-Kosova.

Ndërkaq, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, tha se sot Kosova ka bërë një hap të madh përpara me lansimin e shërbimit të saj të parë proaktiv të ngjarjeve të jetës, duke filluar me regjistrimin e lindjes së fëmijëve.

“Kjo do të thotë se proceset si regjistrimi i të porsalindurve, qasja në përfitimet e lehonisë dhe caktimi i vaksinimeve do të jenë tani më të thjeshta dhe më të shpejta. BE-ja është krenare të mbështesë Kosovën në këtë udhëtim digjital, duke ndihmuar në lehtësimin e jetës së përditshme duke hapur mundësi të reja për rritje”, u shpreh më tej ambasadori Orav.

Në mesin e folësve kyç në këtë ngjarje ishte edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Rohde. Ai u shpreh i nderuar që është i pranishëm për të shënuar këtë arritje të rëndësishme në rrugëtimin e Kosovës drejt përmirësimit dhe digjitalizimit administratës publike.

“Reduktimi i burokracisë është një shtyllë kyçe e qeverisjes së mirë. Shumë shpesh, qytetarët përballen me pengesa të panevojshme që e komplikojnë qasjen në shërbime esenciale. Jam veçanërisht i kënaqur që Gjermania, në partneritet me BE-në ka mbështetur arritjet që po festojmë sot dhe digjitalizimin e reduktimin e barrës administrative në Kosovë në përgjithësi, përmes një projekti të zbatuar nga GIZ”, tha ambasadori Rohde.

Fjalë hyrëse patën edhe znj. Vaness Sabelski, Menaxhere e Projekteve në GIZ dhe Nick, Thijs, Këshilltar i Lartë i Politikave për Reformën e Administratës Publike dhe Ofrimin e Shërbimeve në OECD-SIGMA. Ndërkaq pilotimi i shërbimeve të integruara për ngjarjen jetësore të Lindjes së Fëmijës u bë nga Këshilltari i Kryeministrit për Teknologji të Informacionit, Lulëzon Jagxhiu./Arbresh.info