Tentoi të fuste fshehurazi medikamente në Kosovë, Dogana e zbulon në Dheu i Bardhë

16:16 | 31 Korrik 2026
E H

Dogana e Kosovës ka parandaluar një tentim për futjen e medikamenteve të padeklaruara në territorin e Kosovës, gjatë kontrolleve të rregullta në Pikën e Kalimit Kufitar Dheu i Bardhë.

Sipas njoftimit të Doganës, gjatë një kontrolli rutinor zyrtarët doganorë kanë identifikuar një hapësirë të kamufluar në shkallët e një autobusi. Gjatë kontrollit të detajuar të kësaj hapësire janë zbuluar disa pako të fshehura, të cilat fillimisht dyshohej se përmbanin çaj, por pas verifikimit është konstatuar se bëhej fjalë për medikamente të padeklaruara.

Vlera e përafërt e mallit të zbuluar llogaritet të jetë rreth 6 mijë euro.

Dogana bëri të ditur se, para kontrollit fizik, vozitësi i autobusit ishte pyetur nëse kishte mallra ose mjete monetare për t’i deklaruar, por ai kishte deklaruar se nuk posedonte asgjë për të paraqitur pranë autoriteteve doganore.

Pas zbulimit të medikamenteve, autobusi është dërguar në terminalin doganor për kontroll të mëtejshëm. Procedurat janë zhvilluar në bashkëpunim me Policinë Kufitare, ndërsa pas përfundimit të ekzaminimit janë ndërmarrë veprimet e parapara me legjislacionin në fuqi.

Dogana rikujtoi se importi i medikamenteve i nënshtrohet kërkesave të veçanta ligjore dhe, varësisht nga lloji dhe sasia e tyre, mund të kërkojë autorizime dhe dokumentacion përkatës nga institucionet kompetente.

Sipas Doganës së Kosovës, çdo tentim për fshehje ose mosdeklarim të mallrave cenon sigurinë e zinxhirit të furnizimit, konkurrencën e ndershme dhe mbrojtjen e shëndetit publik, ndërsa institucioni mbetet i përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe zbatimin e ligjit.

Shpërndaje në rrjete sociale