Telekomi ende nuk është gati për privatizim

09:26 | 26 Maj 2019 | Agnesa Çitaku

Dikur ndërmarrja më profitabile në vend e sot thuhet se punon me humbje. E për këtë po këmbëngulët që sa më shpejtë të përfundojë procesi i privatizimit të ndërmarrjes publike “Telekomi i Kosovës”.

Por sipas ish-kryeshefit ekzekutiv të Postës dhe Telekomit të Kosovës, Shyqyri Haxha, kjo ndërmarrje ende nuk është e gatshme për privatizim. Sipas tij ky proces duhet të bëhet pas një plani të detajuar e që do të tërhiqte kompani me brend botëror.

Haxha në një intervistë dhënë arbresh.info ka thënë se nëse privatizimi ndodhë tani nuk do sillte kurrfarë leverdie ekonomike.

“Privatizimi i Telekomit në këto rrethana nuk ka leverdi ekonomike edhe nuk do të duhej të ndodhë! Reputacioni i Telekomi të Kosovës është dëmtuar tej mase prandaj kjo ka direkt impakt edhe në ofertuesit potencial me renome dhe lider botëror në sektorin e Telekomit. Qëllimi i do privatizimi do të duhej të tërhiqte kompani me brend botëror. Për momentin, kjo nuk ka gjasë të ndodhë, prandaj privatizimi i Telekomit do të duhej të bëhet me një strategji afatgjate, me objektiva shumë të qarta dhe çka është më me rëndësi është interesi kombëtarë të jetë prioritet. Telekomi i Kosovës kompani vitale për zhvillimin ekonomik por edhe më me rëndësi është siguria nacionale e Kosovës si dhe e aleatëve tanë perëndimor të cilët kanë ndihmuar dhe ndihmojnë Kosovën në vazhdimësi. Prandaj privatizimi duhet të bëhet me një plan shumë të detaizuar duke marr parasysh faktorët e cekur më lartë”, ka thënë Haxha.

E i pyetur se kujt po i konvenon kjo ngutje, Haxha ka thënë se Kosovës dhe qytetarëve të saj jo.

“Unë nuk kam ndonjë informatë se kujt i konvenon, por ajo që dihet saktë është që Kosovës dhe qytetarëve të saj një privatizimi në këto rrethana nuk iu konvenon. Privatizimi i Telekomit nuk duhet bëhet për ‘apetite’ të bizneseve private, sepse kjo dëmton interesin nacional. Qeveria dhe ministrit përkatëse duhet të kenë shumë kujdes me privatizimin e resurseve shtetërore, sepse këtu qëndron edhe ‘thelbi’ i zhvillimit dhe qëndrueshmërisë ekonomike dhe politike të mëtutjeshmet të shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.

Haxha ka shtuar se Institucionet duhet të kenë shënjestër kompanitë nga Britania e Madhe, SHBA e Gjermania.

“Institucionet e Kosovës duhet të përpilojnë një strategji të privatizimit të detajizuar, të debatohet dhe analizohet mirë, nga ekspertë me background kombëtar, në mënyrë që të merren parasysh interesat kombëtare dhe posaçërisht prioritet duhet të jenë tërheqja e kompanive të Telekomit nga shtetet perëndimore që kanë ndihmuar Kosovën në ditët më të vështira të çlirohet nga okupimi serbë. Posaçërisht kompanitë nga Britani e Madhe, USA, Gjermania duhet të jenë me prioritet nacional. Natyrisht nuk duhet përjashtuar as kompanitë nga vendet tjera mike, por këto 3 shtete duhet të jenë në ‘Top Listë’ të prioritetit nacional”,ka shtuar ai.

Ndërsa ka shtuar se Telekomi nuk guxon të bëhet barrë e shtetit të Kosovës.

“Por para se gjithash vlera e Telekomit të Kosovës duhet rritur me çdo kusht para se të ndodhë privatizimi. Në strategjinë e privatizimit të tij duhen të parashihen hapat dhe veprimet konkrete të detajizuara me afate te specifikuara që institucionet e Kosovës do të duhet të ndërmarrin në mënyrë që të rrisin vlerën e Telekomit para se te privatizohet. TiK nuk guxon, me asnjë çmim të bëhet barrë e shtetit të Kosovës”, ka përfunduar ai.

Ndryshe në fillim të kësaj jave Komisioni për Zhvillim Ekonomik nuk e ka hedhur në votim vendimin e Qeverisë së Kosovës, me të cilin autorizohet Komisioni Qeveritar për Privatizimin e Telekomit të Kosovës./A.Citaku/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara