Të punësuar në institucione, marrin ndihma sociale!

08:22 | 13 Korrik 2018
V. S.

Të punësuarit në Kosovë nuk mjaftohen vetëm me punën e tyre, por ata po presin edhe në radhët e të varfërve vetëm që të përfitojnë ndihma sociale nga shteti. 788 persona në marrëdhënie pune kanë përfituar kundërligjshëm ndihma sociale në vlerën e 71 mijë e 977 eurove nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) vitin e kaluar, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) është në dijeni se e ka dëmtuar buxhetin e shtetit mijëra euro, duke paguar kundërligjshëm ndihma sociale për personat e punësuar.

Por, në këtë institucion nuk posedojnë shifra konkrete të personave që i kanë larguar nga listat e përfitimit, ashtu siç janë bërë publike dëmet mijëra euroshe të buxhetit nga pagesat e gabuara.

Gazeta “Zëri” i ka kërkuar të dhëna të detajuara këtij institucioni për numrin e personave që janë larguar nga listat e shfrytëzimit të ndihmave sociale, por nuk ka marrë përgjigje specifike.

Në përgjigjen me shkrim të MPMS-së thuhet se çdo muaj listat e përfituesve nga skemat e ndryshme që paguhen nga shteti krahasohen me të dhënat e AdministratësTatimore të Kosovës (ATK) dhe Trustin Pensional të Kosovës./Zëri/

Të ngjashme