Tahiri i kërkon Kurtit të jetë serioz: S’kemi kohë për eksperimente

12:35 | 23 Mars 2023
Emir Abduramani

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka deklaruar sot në Kuvend se kryeministri Kurti nga tash duhet të jetë serioz dhe të mos eksperimentojë me dialogun.

Tahiri theksoi se është e qartë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe veçse është në Kushtetutë si dhe theksoi se Kisha Ortodokse Serbe s’ka mundësi të ketë territor shtesë.

“Duhet që kryeministri mos ta humb cakun dhe këtë proces mos ta shohë si luftë pozitë – opozitë por duhet mos t’i ikë asnjë detaj nga ky proces i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke.

Kemi tri elemente të rëndësishme që duhet trajtuar. Të jemi të sinqertë me qytetarët, Asociacioni është në marrëveshje, është në Kushtetutë dhe s’kemi kah i ikim. Për Kishën Ortodokse Serbe, ne jemi në proces të miratimit të lirive fetare, dhe për kishën ortodokse nuk ka dhe nuk mund të ketë eksterritorialitet. Duhet të jemi serioz dhe mos të eksperimentojmë, ne do të ishim në situatë tjetër po mos të eksperimentohej me tabela”, tha Tahiri në Kuvend.

Tutje, Tahiri theksoi se marrëveshja e pranuar duhet të rezultojë me zhvillim të marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtarë dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Ai tha se duhet pasur kujdes te zgjedhjet në veri të vendit më 23 prill, sepse ato mund të jenë “bombë e kurdisur”.

“Kjo marrëveshje duhet t’i shërbejë vendit për zhvillimin e marrëdhënieve dhe anëtarësimin në NATO. Një punë e përgjegjshme duhet të ndodhë në forcimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar sepse në marrëveshje bazë flitet për këtë temë. Kemi tre elemente: E para, Integrimi në Partneritetin për Paqe, si hap para në anëtarësimin në NATO, e dyta, të rikthehemi në agjenda evropiane për proceset e ndryshme të anëtarësimeve. Të vendoset rendi dhe ligji në veri të vendit sepse zgjedhjet mund të jenë një bombë e kurdisur për këtë gjendje”, tha Tahiri para deputetëve./arbresh.info