Supremja refuzon ankesën e Koalicionit Vakat për kandidaten Ena Krasniqi

15:11 | 19 Dhjetor 2025
A Z

Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik Koalicioni Vakat, duke vërtetuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me moscertifikimin e kandidates për deputete, Ena Krasniqi.

Koalicioni Vakat kishte parashtruar ankesë në Gjykatën Supreme, duke kontestuar ligjshmërinë e vendimit të PZAP-së dhe duke kërkuar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të detyrohej të certifikonte kandidaten Ena Krasniqi në listën garuese për Zgjedhjet Nacionale.

Në arsyetimin e vendimit, Gjykata Supreme vlerëson se pretendimi sipas të cilit një kandidat për deputet mund të kandidojë për përfaqësim të një komuniteti me vende të garantuara vetëm mbi bazën e origjinës etnike nga ana e nënës, nuk është në përputhje me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe as me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e pakicave.

Gjykata thekson se lejimi i kandidimit për vende të garantuara vetëm mbi bazën e prejardhjes familjare do të binte ndesh me frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe me Konventën Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare të Këshillit të Evropës, duke rrezikuar keqpërdorimin e masave afirmative dhe duke cenuar përfaqësimin autentik të komuniteteve jo-shumicë.

Sipas vendimit, një praktikë e tillë do të krijonte precedent të rrezikshëm, duke e shndërruar përkatësinë etnike në mjet të përkohshëm politik, në vend që të trajtohej si kategori kushtetuese e mbrojtur dhe e lidhur me identitetin real të komuniteteve.

Në rastin konkret, Gjykata ka konstatuar se kandidatja Ena Krasniqi nuk ka paraqitur asnjë provë konkrete që dëshmon lidhjen e saj reale me komunitetin përkatës apo kontributin e vazhdueshëm për të mirën e tij.

Gjykata Supreme po ashtu sqaron se moslejimi i certifikimit në këtë rast nuk e privon kandidaten nga e drejta për t’u zgjedhur në kuptimin e përgjithshëm të nenit 45 të Kushtetutës, pasi nuk i ndalohet pjesëmarrja në zgjedhje si e tillë, por vetëm kandidimi në kuadër të një mekanizmi të veçantë kushtetues, i cili është i rezervuar për anëtarët e komuniteteve përkatëse.

Një dallim i tillë, sipas Gjykatës, nuk përbën diskriminim dhe as kufizim të pajustifikuar të së drejtës zgjedhore, por është pasojë e zbatimit të masave afirmative të parashikuara me Kushtetutë për komunitetet jo-shumicë.