Sulmi i Iranit ndaj Turqisë-Rama: Shqipëria e dënon me forcën më të madhe, rrezikon përshkallëzimin e konfliktit

18:11 | 9 Mars 2026
E.G

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar për sulmet me raketa balistike të Iranit ndaj Turqisë duke theksuar se Shqipëria e dënon këtë akt me forcën më të madhe.

Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, Rama shkruan se fakti që ky është sulmi i dytë në ditët e fundit përbën një shqetësim të madh dhe “thekson më shumë natyrën agresive dhe destabilizuese të këtyre veprimeve.”

Rama thekson më tej se Turqia është një vend mik, partner strategjik i Shqipërisë dhe aleat i vlerësuar i NATO-s.

“Shqipëria dënon me forcën më të madhe sulmin me raketa balistike të regjimit iranian kundër Turqisë. Fakti që ky është sulmi i dytë i tillë në ditët e fundit është jashtëzakonisht shqetësues dhe thekson edhe më shumë natyrën agresive dhe destabilizuese të këtyre veprimeve. Turqia është një vend mik, partner strategjik i Shqipërisë dhe aleat i çmuar i NATO-s”,  shkruan kryeministri Edi Rama.

Ai vë në dukje se sulmet e Iranit ndaj fqinjëve të vet janë të rrezikshme dhe mund të përshkallëzojnë mëtej situatën dhe paraqesin kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.

“Përpjekjet e regjimit iranian për të përhapur tension dhe paqëndrueshmëri përmes sulmeve të vazhdueshme ndaj fqinjëve të vet janë jashtëzakonisht të rrezikshme. Veprime të tilla rrezikojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës dhe paraqesin kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare”, nënvizoi kryeministri.

Rama shkruan gjithashtu se “Shqipëria vlerëson reagimin e shpejtë të NATO-s në mbrojtjen e territorit, hapësirës ajrore dhe qytetarëve të Aleancës. Shqipëria qëndron fort krah për krah me Turqinë dhe me të gjithë aleatët në mbrojtje të sigurisë dhe unitetit të Aleancës sonë“

Shpërndaje në rrjete sociale