Sot fillojnë Ditët e Konferencës së Javës për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë

08:06 | 31 Maj 2022
Fjolla Bajraktari

Sot fillojnë Ditët e Konferencës së Javës për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë (KSDW) 2022, ku qëllimi i kësaj konference është të hedhë dritë mbi mënyrën sesi vendet e Ballkanit Perëndimor mund të kapërcejnë sfidat ekonomike dhe energjetike me të cilat po përballen.

Panelistët do të diskutojnë mbi Energjinë e Pastër, Dekarbonizimin e Ballkanit Perëndimor dhe Burimet e Ripërtërishme.

Në ditët e konferencës, do të marrin pjesë ekspertë vendorë e rajonalë, përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare e anëtarë të shoqërisë civile.

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën Viola von Cramon, do të marrë pjesë nga në Ditët e Konferencës të KSDW nga sot, më 31 maj deri më 2 qershor.

Ndërkaq do të flasë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besim Bislimi.

Ngjarja e sotme do të fillojë në ora 9 deri në 15:45 në Prishtinë.

KSDW 2022 organizohet në partneritet mes Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Zyrës së Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, GIZ, Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Balkan Green Foundation (BGF).

Edicioni i pestë i KSDW ka filluar më 30 maj dhe do të zgjasë deri më 10 qershor./arbresh.info/