Sorensen shpreson për rezultate në dialog këtë vit: Duhet të gjejmë një mënyrë që palët të ulen dhe të flasin

11:21 | 14 Janar 2026
E.H

Përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen pas takimit me dy krerët shtetërore theksoi se do të punojnë që në vitin 2026 të arrihen rezultatet që s’u arritën vitin paraprak.

“Jam i lumtur që jam sërish në Kosovë, kjo është vizita ime e parë e këtij viti. Urime për zgjedhjet, pres me interes që Kuvendi të konstituohet dhe që Qeveria të formohet. Ne vazhdojmë të punojmë për çështjet e dialogut, me shpresën që viti 2026 të sjellë atë që 2025 nuk arriti ta japë. Pikërisht për këtë arsye e nisa vitin me një vizitë pune këtu dhe më pas në Beograd gjatë kësaj jave”, tha ai në një deklarim për media, pas përfundimit të takimit me presidenten Vjosa Osmani.

Sorensen theksoi se do të punojnë për bisedimet, duke paralajmëruar edhe vizitë nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas.

“Ajo që ne do të bëjmë është ajo që na kërkohet ne nga dialogu, të sigurohemi që të dy palët do të ulen dhe të bisedojmë. Ne duhet ta gjejmë një rrugë që ta bëjmë këtë. Përfaqësuesja e Lartë i ka vizituar edhe Prishtinën edhe Beogradin, ajo ka theksuar se do të ketë një takim kur koha të jetë e duhur”, potencoi ai.

Ky takim erdhi si vijimësi e agjendës së emisarit evropian në Prishtinë, i cili paraprakisht zhvilloi një bisedë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale