SIN68: Salla e renovuar dy herë brenda dy vitesh me kosto rreth 60 mijë euro shndërrohet në zyrë

12:51 | 19 Mars 2025
E.G

Një aksion protestues në lidhje me hapësirat në Qendrën e Studentëve për aktivitete kulturore, artistike dhe inovative.

Sipas njoftimit, në datë 22.06.2022, është nënshkruar një kontratë me titull “Renovimi i sallës së konferencës në administratë dhe nyjet sanitare në përdhese”, me vlerë 29,405.50 euro, shkruan Arbresh.info.

“Nga vetë emri i kontratës dhe përmbajtja e saj (bashkëngjitur në këtë email), është e qartë se bëhet fjalë për renovimin e sallës dhe disa aspekteve të tjera teknike.”, thuhet në njoftim.

“Më datë 27.03.2024, është nënshkruar një tjetër kontratë, këtë herë me titull “Renovimi dhe ndarja në zyre e sallës së QS-së”, me vlerë 33,099.00 EUR. Ky dokument, ndryshe nga ai i mëparshmi, është i paqartë dhe jep përshtypjen se diçka po tentohet të fshihet. Për më tepër, edhe emërtimi i sallës ndryshohet – nuk i referohen më si “salla e konferencës”, por thjesht si “sallë e QS-së”. Në mënyrë të dyshimtë, në uebsajtin e prokurimit publik, skanimi i kontratës është aq cilësisht i dobët sa që faqet 3 dhe 4 të dokumentit janë pothuajse të palexueshme (kontrata është e bashkëngjitur në këtë email).”, thuhet tutje.

Çfarë ka ndodhur në fakt?

Një sallë e sapo renovuar me një kosto rreth 30,000 EUR, pas vetëm 21 muajsh, shkatërrohet dhe rinovohet përsëri për t’u kthyer në zyrë, me një kosto shtesë prej rreth 30,000 EUR.

Cili është rezultati?

Studentët humbin një sallë të rëndësishme për aktivitete edukative, kulturore dhe inovative.

Buxheti i Republikës së Kosovës pëson një humbje të konsiderueshme, pasi kontrata e dytë është e paqartë dhe vlera reale e shpenzimeve mund të jetë edhe më e lartë. Ajo tejkalon detyrimisht shumën 10,000 EUR që do të kërkonte një justifikim të fortë nga përgjegjësit.

Përmes këtij emaili poashtu dëshirojmë t’ju njoftojmë se kemi filluar peticionin i cili është nënshkruar nga rreth 700 studentë banues në konvikte brenda vetëm tre ditësh dhe po vazhdon ende(gjeni të bashkëngjitura foto gjatë nënshkrimit të peticionit). Kërkesa e peticionit është:

“Ne, banuesit e Qendrës së Studentëve, me anë të këtij peticioni kërkojmë nga menaxhimenti i Qendrës së Studentëve që të ofrojë hapësira të përshtatshme për organizimin e aktiviteteve të ndryshme edukative, artistike, kulturore dhe argëtuese. Këto aktivitete përfshijnë trajnime, ligjerata, debate, klube studentore, seminare, evente kulturore dhe aktivitete sportive.

Jemi të kënaqur me aktivitetet që ka organizuar deri tani organizata SIN68 në Kend të Aktivizmit dhe hapësira të tjera në Qendër të Studentëve dhe kërkojmë që të vazhdohen ato. Këto aktivitete janë të domosdoshme për përmirësimin e jetës studentore, për forcimin e bashkëpunimit mes studentëve dhe për zhvillimin e aftësive personale dhe profesionale në fusha tjera jashtë fushës së studimit.”

Gjatë kohës që ishim të angazhuar për mbledhjen e nënshkrimeve, menaxhmenti i Qendrës së Studentëve ka vendosur një kamerë që monitoron çdo hyrje dhe dalje në “Kënd të Aktivizmit”, hapësirën ku veprojnë aktivistët tanë (video e bashkëngjitur në këtë email). Vlen të theksohet se kjo kamerë nuk ishte e pranishme para datës së mbajtjës së aksionit tonë protestues. Përveç kësaj, në një formë apo tjetrën, ka pasur kërcënime indirekte edhe për marrjën e kësaj hapësire, të cilën e kemi bërë funksionale vetë ne dhe e kemi quajtur “Këndi i Aktivizmit”. Para se të fillonim punën ne, ajo hapësirë ishte e pa shfrytëzueshme për vite me radhë.

Gjithashtu, të hënën me datë 17 mars 2025, një anëtare e organizatës SIN68, e cila është banuese në Qendrën e Studentëve, i ka dërguar email menaxhmentit të Qendrës për të kërkuar një hapësirë për mbajtjen e një aktiviteti ku edhe të ftuarit si folës janë të konfirmuar, si banuese dhe jo si pjesë e organizatës. Deri më tani, nuk ka marrë ende asnjë përgjigje.

Ne nuk do të ndalemi së kerkuari hapësira të nevojshme për me diskutu për shkencë, teknologji e inovacion. “Large Language Models” si deepseek, grok e të tjerët janë duke berë revulucion në cdo industri e ne si studentë po rrimë në kafe e larg cdo trendi inovativ që ndodh në botë si rrjedhim i shumë faktorëve e që tash ju është shtu edhe mungesa e hapësirës./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale