Shtyrja e pagesave, ‘Pastrimi’ dhe ‘KRU ‘Prishtina’ nesër vendosin rreth propozimeve të Qeverisë

20:23 | 15 Mars 2020

Kompania Pastrimi dhe KRU Prishtina pritet të vendosin nesër rreth masave të prezantuara nga Qeveria e Kosovës, e të cilat kanë të bëjnë me krijimin e lehtësirave për bizneset dhe qytetarët në kohën kur vendi po përballet me koronavirus.

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur sot se kanë arritur dakordim me odat ekonomike në vend për një sërë masash për t’i prezantuar qeverisë për miratim.

Masat e propozuara parashikojnë shtyrjen e afatit për deklarimin e obligimeve tatimore dhe raportimeve financiare të bizneseve dhe organizatave të tjera sipas legjislacionit në fuqi deri më 30 prill 2020.

Ndër masa tjera parashikohet shtyrja deri më 30 prill 2020 e pagesave të të gjitha obligimeve për shërbimet publike si uji, energji, ngrohje dhe mbeturina.

Kompania e Pastrimit dhe ajo e Ujësjellësit, kanë konfirmuar për Kosovapress se nesër do të shqyrtojnë këto rekomandime.

Arjeta Mjeku nga K.R.U Prishtina, thotë se nesër në ora 8:00 në mëngjes do të mblidhet menaxhmenti për të diskutuar për hapat dhe planin e mëtutjeshëm duke u bazuar në propozimin e qeverisë.

“Ne deri më tash, ju kemi përmbajtur dhe kemi zbatuar çdo masë që e parandalon përhapjen e koronavirusit, pra çdo vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Nesër në orën 8 kemi caktuar takimin me menaxhmentin dhe do t’i trajtojmë të gjitha këto çështje që gjithçka të zbatohet bazuar në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës” , tha Mjeku.

Edhe Arbnore Ademi nga kompania e Pastrimit, konfirmon për KosovaPress se do të mblidhen nesër për të shqyrtuar propozimet e qeverisë.

Ademi tha se gjithmonë kanë respektuar dhe do të respektojnë rekomandimet e qeverisë.

“Është vendim i qeverisë, edhe të enjten kur ka qenë vendimi i qeverisë për dezinfektim të zyrave, automjeteve dhe gjërat tjera, menjëherë atë ditë e kemi respektuar. Kështu që besoj edhe këtë do ta respektojmë pasi që është gjendja emergjente është vendim i qeverisë dhe ne patjetër do ta respektojmë, por nesër mbahet mbledhja në mëngjes dhe do të diskutohen të gjitha këto pika”, ka thënë ajo.

 

Lajmet më të lexuara