
Komuna e Prishtines, Prishtine. 21 Maj 2015. Photo:Atdhe Mulla.
Prishtinë- Gjykata Komerciale e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Grupit “Koha”, për të shtyrë ekzekutimin e vendimit të Komunës së Prishtinës, i nxjerrë nga kryetari Përparim Rama më 18 gusht 20223, me të cilin parashihej mbyllja e rrugëve/rrugicave të cilat kalojnë/dërgojnë në parkun e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Bibliotekës Kombëtare nga 1 shtatori, derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit.
Vendimi të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi’, është marrë më 30 gusht nga gjyqtarja Vlora Pacolli-Rexhepi.
“APROVOHET si e bazuar kërkesa e paditësit Grupi “KOHA”, Sh.p.k., për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit. SHTYHET ekzekutimi i vendimit me Nr.12-020.05- 171446/23 i datës 18.08.2023, i publikuar më datë 21.08.2023, i nxjerrë nga Kryetari i Kryeqytetit të Kosovës, derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit”, thuhet në vendim.
Në arsyetimin e vendimit, thuhet se më 28 gusht 2023, paditësi/propozuesi Grupi “Koha”, përfaqësuar nga drejtoresha menaxhuese Flaka Surroi, ka parashtruar padi kundër të paditurit/kundërshtarit të propozimit kryetarit Përparim Rama, për shtyrje të vendimit të 18 gushtit 2023, i cili ishte publikuar më 21 gusht 2023.
Në vendim thuhet se paditësi/propozuesi ka theksuar se kryetari Rama me vendimin e 18 gushtit, ka vendosur t’i mbyll tri rrugë të qytetit për qarkullim, e të cilat kalojnë në Parkun e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Bibliotekës Kombëtare, duke filluar nga 1 shtatori 2023.
Aty thuhet se propozuesi Grupi “Koha”, është medium që gjendet në rrugën “Xhorxh Bush”, e i cili qasjen në parkingun e objektit të pronës së tyre, e shfrytëzon në mënyrë të ligjshme, në mënyrë të rregullt dhe të vetme nga kjo rrugë, ndërsa me mbylljen për qarkullim të mjeteve motorike në rrugët/rrugicat të cilat kalojnë në Parkun e UP-së dhe Bibliotekës, Grupit “Koha” i pamundësohet qasja në parkingun që gjendet në objektin e vet.
Në vendim thuhet se pasi që Gjykata shqyrtoi pretendimet e paditësit, vlerësoi se në rastin konkret janë plotësuar kushtet ligjore për të aprovuar kërkesën, pasi që paditësi ka argumentuar faktin se ekzekutimi i vendimeve do t’i sillte dëm i cili vështirë do të riparohej.
Po ashtu, thuhet se ka argumentuar se shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik, e as që do t’i sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare.
“Gjykata vlerëson se ekzekutimi i vendimit kundërshtues paditësit do t’i sillte dëm vështirë të riparueshëm pasi që ekzekutimi i vendimit do t’ia pamundësonte paditësit/propozuesit qasjen direkte në objektin e punës me vetura zyrtare të Grupit “KOHA”, e që do të shkaktonte çrregullime dhe vështirësi të cilat do të ndikonin drejtpërdrejt në funksionimin dhe ushtrimin e aktivitetit të rregullt për marrjen e informacionit dhe informimin e publikut”, thuhet në vendim.
Më tej, thuhet se ekzekutimi i vendimit do të kishte edhe pasoja financiare për paditësin.
Gjykata vlerësoi se nuk ekziston ndonjë rrethanë sipas të cilës të paditurit- Komunës së Prishtinës, do t’i shkaktohej ndonjë dëm nga shtyrja e ekzekutimit të vendimeve kontestuese deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata.
Sipas vendimit, është përmbushur kushti se ekzekutimi i vendimit do të sillte dëm financiar paditësit, pasi do të detyrohet të parkojë veturat jashtë parkingut të saj, sepse në posedim ka 13 vetura për kryerjen e detyrave zyrtare, ku parkimi ditor kushton 15 euro për veturë (195 euro në baza ditore).
Po ashtu, kushti i dytë se shtyrja e ekzekutimit nuk është në kundërshtim me interesin publik, pasi në të kundërtën kufizimi i qasjes së një medium në objektin e vet vetëm cenon interesin publik dhe kushti i tretë që shtyrja nuk i sjell palës kundërshtare dëm./BetimipërDrejtësi/
I ndalet rryma në Klinë, Bedri Hamza kërkon që më 28 dhjetor...
Durmishi: Autostrada e Gjilanit përfundon brenda një viti
Specialja s’ia lejon Salih Mustafës ta vizitojë babën, OVL: ...
Labi e akuzon Jasminën se e shtyu
Ulutash: NATO që dy vite kërkon që sulmuesit e Banjskës të s...
Qindra migrantë mbërrijnë në Kretë