Google ADS

Shqiptarja që garon në Bruksel, prioritet e ka integrimin e shqiptarëve

16:08 | 7 Qershor 2024
E.K

Ornela Prifti është shqiptarja nga Brukseli, e cila do të garojë për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen këtë të diel në Bruksel. Në një intervistë për Radio Kosovën, Prifti thotë se ajo do të angazhohet për integrim edhe më të madh të komunitet shqiptar në Bruksel. Orenal Prifti, është kandidate e Partisë Socialiste të Belgjikës dhe garon në numrin 46 të kësaj liste.

Zonja Prifti, ju do të kandidoni për zgjedhjet parlamentare në Bruksel. Jeni optimiste se do e fitoni garën?

Ornela Prifti: Sa herë që i futesh një gare ose sfide të tillë gjithmonë duhet të jesh optimiste që ta dërgosh atë deri në fund. Megjithatë mua më vjen shumë mirë që ka kaq shumë kandidatë shqiptarë në këtë garë dhe shpresoj që të zgjidhemi sa më shumë shqiptarë, që ta përfaqësojmë sa më shumë komunitetin tonë. Unë mendoj që kam bërë një fushat shumë dinjitoze dhe shpresoj që të kem një rezultat sa më të mirë.

Si është gara e një shqiptareje për të hyrë në parlament?

Ornela Prifti: Të them të drejtën unë punojë si juriste në Parlamentin e Brukselit që 10 vite, që kështu e njoh pak a shumë mënyrën se si organizohet fushata, zgjedhjet. Por, është hera e parë që jam vetë kandidate dhe kësaj radhe ka qenë më tepër sfiduese, megjithatë mendoj që këtu është më pak e ashpër sesa në Shqipëri dhe Kosovë. Mbahet ai respekti, ndihet konkurrenca, megjithatë respekti qëndron. Gjithsesi, argument dhe program janë ato që mendoj unë se vlerësohen nga njerëzit.

Zonja Prifti, çka dallon program juaj nga program i kandidatëve të tjerë shqiptarë, të cilët besoj që si synim final keni integrimin e komuniteti shqiptar?

Ornela Prifti: Unë jam me Partinë Socialiste të Belgjikës dhe jam e angazhuar si këshilltare në Bashkinë e Brukselit dhe mendoj që Partia Socialiste është ajo parti që ua ka dhënë të drejtën, komunitetit tonë gjithsesi, por edhe komuniteteve të tjera, të kenë të drejta të barabarta, ka qenë ajo që ka luftuar më shumë për të drejtën sociale të njerëzve, për të drejtat e njeriut. Është një parti që ka arritur të tregojë që është në krahun e njerëzve, për t’i ndihmuar ata në të gjitha sferat e shoqërisë. Është partia që më së shumti i respekton imigrantët që në fund të fundit kemi ardhur këtu në Belgjikë.

Si është perceptimi për komunitetin shqiptar qoftë nga Kosova apo Shqipëria?

Ornela Prifti: Mua më vjen shumë mirë sepse ka qenë goxha vështirë në fillim. Unë kam qenë juristja e parë shqiptare në Parlamentin e Brukselit dhe paragjykimet, po flasë për përvojën time, por besoj që edhe shqiptarët tjerë që kanë qenë duke punuar në fusha të ndryshime, kanë ndier paragjykime, me ato faktet siç është puna e mafies, korrupsionit për këto gjërat e tjera. Por më vjen mirë sepse shqiptarët në çdo sferë që kanë hyrë, kanë ditur të bëjnë emër, të ndryshojnë paragjykimet, ku përmes punës së tyre kanë treguar që ne, shqiptarët, jemi njerëz me vlera, dinjitozë dhe të shkolluar. Tani kemi një imazh shumë më të mirë se në fillimet tona.

Zonja Prifti, nëse do të zgjidheni deputete në Parlamentin e Brukselit, cilat janë prioritet tuaja?

Ornela Prifti: Unë të them të drejtën kam filluar angazhimin tim dhe të them të drejtën do të jetë vazhdimësi e diçkaje që po e bëjë realisht, është fakti që t’i ndihmojë njerëzit që kanë nevoja ta ndryshme. Tani që jam këshilltare në Bashki u kam ndihmuar njerëzve që kanë mungesa nga ana financiare apo sociale, nga ana procedurale. Por edhe gjithashtu për të organizuar sa më shumë konferenca për të njohur Shqipërinë. Në këtë 10 vjeçar kam organizuar shumë konferenca në Parlamentin e Brukselit. Por tani forma e angazhimit tim do të jetë në një nivel tjetër, në nivel më zyrtar, që të kem më tepër kontakte me ambasadat. Deri tani kam organizuar gjëra që nuk kanë qenë shumë të dukshëm, por nëse do të zgjidhem deputete, atëherë besoj që kjo do të ndryshojë për të mirë.

Shpërndaje në rrjete sociale