Shoqata e Naftarëve e quan antikushtetues vendimin e MINT për çmimet tavan

11:52 | 23 Dhjetor 2025
E.G

Shoqata e Naftarëve të Kosovës e konsideron vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë lidhur me vendosjen e çmimeve tavan për derivatet e naftës si të dëmshëm për naftarët dhe antikushtetues.

Kryetari i Shoqatës, Fadil Berjani tha se kjo industri përballet me pasoja serioze nga ky vendim, duke theksuar se ky vendim u shkakton humbje të mëdha.

“Ky vendim është i dëmshëm dhe po na shkakton humbje. Kemi kërkuar që të mos hyjë në fuqi, pasi Kosova ka çmimet më të ulëta të derivateve në rajon, ndërsa ky vendim i dëmton bizneset. Kjo është puna dhe kontributi i naftarëve”, tha Berjani.

Edhe përfaqësues të tjerë të naftarëve kundërshtuan këtë vendim. Agim Behluli nga shoqata tha se Kosova nuk ka rezerva të veta dhe varet nga tregjet ndërkombëtare.

“Duhet të kemi depozita dhe rezerva, sepse varemi nga bursa ndërkombëtare. Ne nuk kemi rezerva tona dhe në rast krizash globale kemi vështirësi në furnizim. Jemi të detyruar t’i mbajmë këto çmime”, u shpreh ai.

Ndërkaq, Tahir Zogaj, nënkryetar i Shoqatës, tha se Ministria po vepron në mënyrë selektive.

“Ministria ka marrë vendim për çmime tavan, por pse ky vendim po zbatohet vetëm për naftarët e jo edhe për energjinë elektrike apo produktet e tjera? Ky veprim është i paligjshëm dhe antikushtetues”, tha Zogaj.

Në fund, edhe Berjani foli edhe çështjen e rezervave shtetërore të naftës.

“Nuk e dimë se ku janë rezervat shtetërore të naftës. Ato duhet të shpërndahen në të gjitha pikat e karburantit. Nëse rezervat do të shpërndaheshin nëpër pikat e karburantit, do të ishin shumë më funksionale dhe më të vlefshme”, përfundoi ai.