Ai në këtë pozitë do të jetë pasardhës i italianes Federica Mogherini, nga fundi i tetorit të këtij viti, kur do ta marrë zyrtarisht detyrën.
Edhe pse me emërimin e tij është pajtuar presidentja e re e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për zyrtarizimin e postit të tij është i nevojshëm edhe aprovimi nga Parlamenti Evropian së bashku me të gjithë anëtarët e Komisionit Evropian, shkruan “Alo”, transmeton lajmi.net.
“Nuk ka ku shkon më mirë për Serbinë, pasardhësi i Federica Mogherinit vjen nga shteti që nuk e njeh Kosovën”, titullon “Alo”.
Kandidatura e Borelit dhe emërimi i tij ka gëzuar opinionin në Serbi dhe atë për shkak të një prej “betejave” më të mëdha mes Serbisë dhe Kosovës. Borel është spanjoll, andaj krijohet përshtypja se mundet edhe të “marr krah” në çështjen e Kosovës marrë parasysh se vjen nga Spanja që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Nga ana tjetër, pas shfaqjes së emrit të tij, në Prishtinë nuk ka qarkulluar një disponim i mirë, sepse ai do të jetë mbikqyrës i ri i dialogut me Beogradin. Mirëpo, ajo që është interesante në lidhje me Borelin është se ai është pikërisht katalan dhe nuk mbështet asnjë formë të ndarjes.
Ky është qëndrimi i tij jo vetëm në lidhje me Spanjën, derisa së fundmi kishte thënë se: “kufijtë janë shenja që historia i mban në lëkurën e një shteti”.
Ai është edhe kundër Brexit-it, e për faktin se është kundërshtar i ndarjeve, ka armiq është në vendlindjen e tij në Kataloni. Politika, edhe ajo evropiane, nuk është e panjohur pasi nga 2004 deri më 2007 ishte president i Parlamentit Evropian.
Në politikën e Spanjës, megjithatë ka përvojë të gjatë prej gati 40 vitesh, gjatë së cilave ka qenë në qeverinë rajonale të Madridit, sekretar i shtetit për financa, pastaj Ministër i Infrastrukturës, transportit dhe mjedisit, kurse i ka udhëhequr edhe socialistët si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e vitit 2000.
Një kohë ishte tërhequr nga publiku por kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez i kërkoi të rikthehej në qeveri.
Borel me profesion është inxhinier i raketave aeronautike ndërsa ka titull të doktorit të ekonomisë si dhe master në Universitetin amerikan, Stanford, dhe Instituti i Francës për naftë.
Mediat e huaja e përshkruajnë si person që nuk ka frikë dhe nuk ka problem të ballafaqohet edhe me autoritete të larta përfshirë Rusinë dhe SHBA-në.
Në fillim të këtij viti ka qenë për vizitë në Serbi kur dha edhe qëndrimin e tij se Kosova dhe Katalonia nuk janë të njëjta derisa beson se dialogu është zgjidhja më e mirë e problemeve.
