Selim Pacolli: Së bashku mund ta kthejmë Gjakovën siç ka qenë dikur

19:15 | 21 Janar 2025
K.B

Koalicioni për Familje ka hapur sot fushatën zgjedhore në Gjakovë.

Kandidati për deputet, Selim Pacolli tha se sot janë të gjithë bashkë për të treguar se janë të angazhuar për një të ardhme më të mirë.

Pacolli tha se një nga vlerat që na bashkon është respekti i thellë për familjen duke shtuar se e dimë , se sa është e rëndësishme familja për çdo individ.

Ai tha se ajo çfarë na bashkon më së shumti është familja dhe vlerat e saj tradicionale.

“Ne nuk njohim asnjë alternativë tjetër për të krijuar familje, këtë e dëshmon dhe deklarimi i Trumpit, i cili tha se nuk njohin asnjë alternativë tjetër përpos gjinive mashkull dhe femër. Sot kam nderin dhe kënaqësinë që të flas për Gjakovën, për të kaluarën dhe të tanishmen. Gjakova ka qenë një qytet i njohur për zhvillimin ekonomik, ishte një fuqi ekonomike dhe ishte shembulli më i mirë i kohës, sot ku është Gjakova? 25 vite pas çlirimit ku është industria e Gjakovës” tha Pacolli.

Ai përmendi disa prej industrive që janë mbyllur për shkak të asistencës shtetërore.

Pacolli premtoi se do të bëjnë të pamundurën që Gjakovën ta kyçin në çdo infrastrukturë, duke mos e lënë anash as sektorin e zejtarëve.

“Do të investojmë në bujqësi, bizneseve të reja do të ju qëndrojmë afër”, tha Pacolli.

Krejt në fund, ai ftoi qytetarët e Gjakovës që të bashkohen në këtë kauzë, pasi siç theksoi së bashku mund ta kthejnë Gjakovën siç ka qenë dikur./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale